Skip to content

E paprecedentë në Bolonja, 40-vjeçari shqiptar dhunon dhe grabit të riun shurdhmemec te stacioni i trenit, policia e hekurudhës e arreston

Oficerët që mbulojnë rendin dhe sigurinë në stacionet hekurudhore vunë re agresorin që godiste me grushte e shkelma të riun përtokë. E ndoqën dhe e kapën bashkë me çantën e grabitur të të dëmtuarit

Bologna- Një 40-vjeçar me origjinë shqiptare është arrestuar nga Policia Hekurudhore e Bolonjës në Itali  pasi akuzohet se ka goditur me shqelma dhe grushte një të ri me aftësi të kufizuara (shurdhmemece), më pas i ka rrëmbyer nga dora çantën në përpjekje për t’u arratisur.

Pasi e ndoqën, oficerët e bllokuan në Piazza XX Settembre. Shqiptari emri i të cilit nuk u publikua, kishte mbi vete çantën, me celularin, portofolin dhe dokumentet brenda. Viktima, të cilës iu kthyen malli i vjedhur, njoftohet se ka pësuar traumë në fytyrë dhe edemë të hundës.

Ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë në Piazza Medaglie d’Oro, përballë stacionit të trenit, por u raportua vetëm sot në media.

Kanë qenë vetë oficerët e Polferit, (policia e hekurudhës), që kanë vënë re se një i ri ishte i shtrirë në tokë dhe se agresori po e rrihte dhe në momentin që i pa, tentoi të arratisej.