Komuniteti shqiptar në Amerikën e Veriut ndodhet tashmë para një ngjarje historike, pasi për herë të parë në krye të bashkisë së Fairview në shtetin New Jersey, është zgjedhur një grua shqiptare, Violetta Berisha.

Gazetarja Eva Dori, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga SHBA me emisionin “7pa5” me moderatorët Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova e cilësoi një histori suksesi.

Dori: Viti 2023 ishte një vit i mbushur plot suksese për ne shqiptarët e diasporës. Unë pata fatin që ta shoh nga afër Violetta Berishën. Që në momentin e parë që i afrohesh kupton se ke të bësh me një grua fiskike. Violetta ka ardhur 3 muajshe në SHBA dhe ajo me krenari thotë që unë jam shqiptare, unë jam nga Puka. Ajo ka studiuar fort dhe ka qenë viti 2017 kur ka fituar vendin si anëtare e këshillit bashkiak të qytetit. Ishte 7 nëntori që e shpalli atë fituese. Në intervistën e saj më tha që nuk ka qenë e lehtë. Shqipen e ka mësuar në shtëpi. Ne shqiptarët që jetojmë jashtë e ruajmë si aset gjuhën shqipe. Në familjen e saj është folur gjithmonë shqip dhe ajo flet një shqipe të kulluar. E hodhi këtë mesazh, i tha të gjithë prindërve, kudo që jeni mos harroni shqipen dhe mos harroni të thoni se jeni shqiptarë.

Gazetarja Eva Dori tha se Berisha është kryebashkiakja e parë grua dhe do të dijë si ta menaxhojë buxhetin e të sjellë risi në bashkinë Fairview në shtetin New Jersey.

Berisha u votua nga gjithë komuniteti atje, jo vetëm nga shqiptarët dhe ishte një votë e merituar, shtoi gazetarja.

Dori: Ne të gjithë e quajmë Violettën “Nënë Terezën” tonë sepse ka ndihmuar shumë persona. Për mënyrën se sa fort na ka ndihmuar dhe sa fort na ka frymëzuar e kemi quajtur “Nënë Tereza”./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re