Skip to content

E pavërteta se do të paguanim 4 herë më shumë, nëse hiqet taksa e qarkullimit

Rama cmimi i naftes 1

Gjatë Asamblesë së PS në Njësinë nr. 7 në Tiranë, Edi Rama foli, ndër të tjera, edhe për çmimin e naftës.

Ai dha gjithashtu një shpjegim pse qeveria nuk e heq taksën e qarkullimit, e cila do të lehtësonte çmimin e karburanteve në Shqipëri.

“Ne e kemi bërë llogarinë: nëse e heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës, çmimi do të bjerë, por ama të gjithë ata që kanë një automjet do të duhet të paguajnë katërfishin e asaj që paguajnë sot, mesatarisht. Në vend që t’i ngarkojmë të gjithë me katërfishin, ne kemi menduar që më mirë kush shpenzon më shumë naftë, paguan më shumë. Në njëfarë mënyre, ata që djegin më shumë karburant janë më ndotës”, tha Rama.

Argumenti i tij, në fakt, konsiderohet si një gënjeshtër e madhe.

Nëse do të hiqej taksa e qarkullimit, qytetarët do ta paguanin atë vetëm një herë dhe nuk do të paguanin katërfish, siç thotë Rama, por shumë më pak.

Por qeverisë nuk i intereson ta heqë këtë taksë, sepse përfiton të ardhura nga çdo litër naftë që konsumohet.

Në një vend si i yni, që nuk prodhon shumë dhe nuk ka biznese apo industri të mëdha që të mbajnë shtetin me taksa, qeveria mbahet kryesisht nga taksat që u vendosen qytetarëve.

Ndryshe nga vendet e rajonit dhe të Evropës, të cilat e kanë taksën e qarkullimit fikse dhe vjetore.

Rama e di shumë mirë se, nëse hiqen taksat e karburantit, të ardhurat e buxhetit të shtetit do të tkurreshin ndjeshëm dhe për qeverinë do të krijohej një boshllëk i madh.

Ndaj edhe insiston për të mos hequr asnjë taksë.

Jo sepse i vjen më shumë keq për qytetarët se sa kryeministrave të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, ku taksa e qarkullimit është vjetore dhe çmimi i karburantit shpesh është më i ulët.

Sa për kujtesë, në këto vende taksa e qarkullimit varion nga 100 deri në 200 euro maksimumi.

Ndërsa në Shqipëri, duke qenë se paguhet për çdo litër nafte të konsumuar, kjo taksë rezulton shumë herë më e lartë se në këto vende, shkruan “Vox News”.