Një djalë 5-vjeçar, i cili ishte i vetmi i mbijetuar nga një aksident i tmerrshëm me teleferik në Itali që vrau 14 persona, përfshirë prindërit e tij, u zgjua fillimisht nga koma në një spital në Torino dhe pyeti: “Ku janë nëna dhe babai im?”
Eitan Biran i mbijetoi për mrekulli tragjedisë në Alpe, por babai dhe nëna e tij, si dhe vëllai i tij i vogël dhe stërgjyshi dhe stërgjyshja nuk ishin aq me fat.
Djali ka qenë në njësinë e kujdesit intensiv për shtatë ditë, por ai tashmë po merr frymë pa ndihmën e një aparati, megjithëse e ka të vështirë të flasë.
Kur u zgjua në Spitalin e Fëmijëve Regina Margherita, tezja e tij Aya, 41 vjeçe, ishte pranë tij. Ai tha se kishte një dhimbje fyti dhe më pas e pyeti se ku ishte dhe pse ishte pranë tij.
Nuk dihet nëse është zbuluar tashmë se nëna e tij Tal, 26 vjeçe, dhe babai i tij Amit, 30 vjeç, si dhe vëllai i tij 2-vjeçar Tom, stërgjyshi Yitzhak Cohen, 81 vjeç dhe stërgjyshja Barbara Koninsky, 71 vjeçe, nuk janë më.
“Ndonjëherë Eitan pyet për prindërit e tij, por tezja e tij është me të gjithë kohën,” tha shefi i spitalit Giovanni La Valle.
Shumë lënë dhurata për djalin e vogël, dhe tre familje ofrojnë ta birësojnë atë pas tragjedisë.
Tre persona janë ndaluar në një burg në Verbania, përfshirë shefin e teleferikut Luigi Nerini, 56 vjeç dhe kolegët e tij Gabriel Tadini dhe Enrico Peroçhio. Ata dyshohen se kanë çaktivizuar mekanikisht frenën e sigurisë së kabinës. Nëse dënohen, përballen me 30 vjet burg.
“Eshtë faji im,” tha Tadini të enjten, por hetuesit thonë se çaktivizimi i frenave u miratua nga kolegët e tij më me përvojë Nerini dhe Peroçhio.
Të tre pranuan atë që ndodhi, dhe thuhet se nuk ishte hera e parë që ata e bënin këtë.
Eitan pësoi trauma torakale dhe abdominale, si dhe fraktura të gjymtyrëve, gjatë një incidenti tragjik javën e kaluar dhe është ende në gjendje kritike, me tezen dhe gjyshërit e tij në spital. Trupat e prindërve, vëllait, stërgjyshit dhe stërgjyshes së tij u transferuan nga Milano në Izrael dhe u varrosën në Aviel të enjten.
Aksidenti ndodhi menjëherë pasi Italia lehtësoi masat shtrënguese në lidhje me pandeminë e koronavirusit dhe hapi dyert për turistët.