Hetimi i SPAK për dosjen e Ergys Agasit ka marrë një tjetër zhvillim të fortë, duke çuar në marrjen e masës së sigurisë ndaj drejtores së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Hyseni, e cila drejton SHISH që prej vitit 2023, është pezulluar nga detyra dhe ndaj saj është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”. Masa ende nuk është ekzekutuar, pasi sipas burimeve ajo ndodhet jashtë Shqipërisë.
Bëhet fjalë për një fraksion të ri të hetimit që lidhet me dosjen e biznesmenit Ergys Agasi. Sipas burimeve, materialet e sekuestruara nga SPAK në zyrën e Agasit kanë çuar hetuesit drejt dyshimeve që përfshijnë edhe drejtuesen e inteligjencës shqiptare.
Hyseni dyshohet për dy vepra penale: “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
Operacioni është ende në zhvillim dhe, krahas Hysenit, kontrollet janë shtrirë edhe te ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, si dhe te persona të tjerë që lidhen me Policinë dhe SHISH-in.
Pas kontrolleve, Proda është paraqitur në SPAK, ku është marrë në pyetje nga prokurorët e çështjes.
Deri më tani janë ekzekutuar dy masa sigurie. Në pranga kanë rënë Fatjon Kalluçi, shef në Laboratorin Shkencor të Policisë, dhe Embro Sulejmani, i lidhur me një biznes në Durrës.
Hetimi lidhet me arrestimin e Ergys Agasit më 26 gusht, pas rreth tetë muajsh në arrati, në kuadër të dosjes për abuzimet me tenderat. Sipas burimeve, një nga elementët që po verifikohet nga prokurorët është edhe fakti që SHISH nuk kishte informacion për arrestimin e biznesmenit.
Hetimi po drejtohet nga prokurorët Bledar Maksuti dhe Altin Dumani.
Masat e ekzekutuara deri tani:
Fatjon Kalluçi – shef në Laboratorin Shkencor të Policisë
Embro Sulejmani – biznesmen në Durrës
Ndërkohë, ndaj Vlora Hysenit masa e “arrestit në shtëpi” mbetet ende e paekzekutuar për shkak se ajo ndodhet jashtë vendit.
