Ka përfunduar votimi për zgjedhjet e pjeshme vendore të 6 marsit, ku kandidatët kanë garuar për 6 bashki të vendit të cilat kishin kryetarë të emëruar dhe jo të zgjedhur. Menjëherë pas përfundimit të votimeve kanë qenë socialistët ata që kanë dalë të parët në deklaratë, Taulant Balla i cili shpalli fitoren në Lushnjë dhe Damian Gjiknuri i cili bëri thirrje për qetësi deri në përfundimin e numërimit.

Në këto zgjedhje bie në sy fakti që ka pasur një pjesëmarrje tepër të ulët të qytetarëve. Shkaqet kanë qenë të ndryshme duke filluar nga kushtet e këqija atmosferike, tek shpopullimi dhe tek fakti se shumë prej qytetarëve nuk i kanë konsideruar të rëndësishme këto zgjedhje pasi kanë një mandat një vjeçar.
Edhe pse në dukje u përshkrua si një proces i qetë votimi, nuk kanë munguar edhe shkeljet dhe parregullsitë e deri tek incidentet në këto zgjedhje të pjesshme të vlefshme për 6 bashkitë, Durrës, Shkodër, Dibër, Lushnjë, Rrogozhinë dhe Vorë.

Incidentet kanë nisur së pari në bashkinë e Vorës, ku komisionerët e PD nuk janë paraqitur në qendrat e votimit, me pretekstin se nuk po lejoheshin nga komisionerët e PS dhe të “Shtëpisë së Lirisë”. Lidhur me këtë incident, nënkryetarja Jorida Tabaku depozitoi edhe një padi. KQZ u shpreh se komisionerët nuk mund të ishin persona të cilët nuk banonin në atë zonë ku po votohej.

Kushtet e këqija atmosferike e bënë të pamundur transportin e pajisjeve në disa zona të thella të Shkodrës, ku edhe disa prej komisionerëve nuk u paraqitën në qendrat e votimit. Lidhur me këtë problem u shpreh edhe kreu i KQZ, Celibashi i konfirmoi faktin se 3 qendra votimi në Shkodër nuk janë hapur, për shkak të pamundësisë së komisionerëve për të mbërritur, pasi rruga ka qenë e bllokuar nga bora. Ai pranoi mundësinë se zgjedhjet mund të përsëriten. Në rast se në rezultatin final të 3 kandidatëve të Shkodrës do të ketë një diferencë më të vogël se ajo prej 1177 votash, që ka pasur votues në 3 qendrat ku është anuluar votimi, atëherë zgjedhjet do të duhet të përsëriten në të gjithë Bashkinë e Shkodrës.

Në Durrës, pati një përleshje fizike në qendër votimi, ku një prej komisionerëve të PD, deklaroi se ishte goditur me grushta nga ana e përfaqësuesve të “foltores” ose të koalicionit të “Shtëpisë së Lirisë”.

Në Lushnjë përveç denoncimit se 20 prej qytetarëve nuk e kishin emrin në listën e votuesve, ka patur edhe një denoncim nga deputeti demokrat, Luan Baçi i cili publikoi një video ku sipas tij kryetari i Njësisë Vendore Allkaj në Lushnje, mban në duar listat e votuesve, duke shënuar se kush paraqitet dhe kush jo për të votuar.

Një tjetër incident u shënua në Lushnjë ku një prej qytetarëve u paraqit duke votuar edhe për nënën e tij, duke bërë që më pas ajo votë të shpallej e pavlefshme në procesverbal.

Në Dibër, e cila ishte edhe bashkia me numrin më të madh të votuesve, ka patur një denoncim sa i përket një videojae ku ish kryetarja e këshillit bashkiak drejtonte qytetarët se cilën parti të votonin.

Ndërsa pas përfundimit të procesit të votimit, policia ka shpallur në kërkim 40 vjeçarin Kudret Ferruku 40 vjeç simpatizant i Shtëpisë së Lirisë, nuk ka qenë pjesë e komisionit të QV dhe ka goditur me sende të forta sekretarin e qendrës së votimit Qemal Spahiu i PS.

Në Rrogozhinë, bashkia e vetme ku nuk raportohet të ketë pasur incidente.

(B.V/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re