Kryeministri Edi Rama, edhe pse sot paradite ka dalë në krah të Erion Veliajt në një event publik, sërish ka thumbuar kryebashkiakun e Tiranës.

Në një takim që Rama e quan “llogaridhënie ndaj publikut”, por që ka folur vetëm qeveria, kryeministri tha se “lali Eri ka rritur taksat”.

Por më pas shtoi se këtë e ka bërë me arsye.

“Është taksa për shkollat, por kanë nisur dhe do të ndërtohen 17 shkolla të standardeve më të larta që janë ndërtuar në Tiranë,  që do të zgjidhin problemin e mbingarkesave. Vërtet paguhet tarifë gjelbërimi, por një kryetar bashkie që gdhihet duke mbjellë pemë dhe nuk fle pa mbjellë pemë, ia vlen t’ia japësh lekë që të mbjellë pemë”, tha kreu i qeverisë.

Ai tha se edhe qeveria e tij ka rritur taksat njëjtë sa Erion Veliaj.

“Kemi rritur vetëm dy taksa: për ata që fitojnë më shumë, ishte 10 e bëmë 15 %. Kush fiton më shumë, paguan më shumë. Ne që akuzohemi për parti të një grushti oligarkësh, i kemi bërë oligarkët të paguajnë më shumë.

Kemi rritur taksën e karburantit, sepse nuk rëndonim ekonomitë e familjeve. Ata që konsumojnë karburant prej vitesh paguanin një çmim më të lartë për shkak të konjukturave ndërkombëtare. Kemi kursyer 100 milionë dollarë.

Kemi rritur akcizën e duhanit për të ndihmuar njerëzit të lënë duhanin. Nëse le duhanin atë taksë e ke zero. Kemi ulur taksat për furrat e bukës dhe pagat e ulëta. Patriotizmi fillon nga taksat. Kush thotë o sa mirë me qenë shqiptar, por  i vjedh dritat nga komshiu, vetëm patriot nuk është”, deklaroi kreu i qeverisë, në aktivitetin që u mbajt te amfiteatri i Liqenit Artificial.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re