“I kam pas 16 vjeç kur mësova se jam e sëmurë, kam qenë në Kosovë atë kohë.”

Kështu ishte fati i Krenares, një shqiptare të Kosovës, e lindur dhe rritur në mërgim. Sot Krenarja është 26 vjeçe dhe për T7 tregoi sprovat me sëmundjen e rëndë.

“Mjekët nuk kanë kuptuar fillimisht se çfarë kam patur. Kam nisur në Itali për analiza dhe prej aty mora vesh që kam pas tumor. Më ka ardh shumë randë, ama nuk më ka interesu shumë sëmundja. Mua në atë kohë më vinte keq se do më binin flokët, më thanë mjekët atëherë se do të mund të më binin, flokët, qerpikët, krejt. Ajo ishte e zorrshme…”-tregoi 26 vjeçarja.

Krenarja tregon se dhimbjen më të madhe e ndjenë prindërit, veçanërisht nëna e saj.

“Prindërit janë ndier shumë shumë keq, sidomos nëna. Unë personalisht nuk e kuptoja në atë kohë, por kur kam bërë kemio terapitë… nëna rrinte para këmbëve të mia 24 orë. Kishte raste kur nuk ecja dot, por kisha nënën, e cila më ka ndenj gati, sikur të isha një beb.”-tregon e reja.

26 vjeçarja tregon se një ditë para se të mësonte për sprovën, njohu një djalë. Pikërisht ai djalë, sot është bashkëshorti i saj prej disa vitesh.

“Një ditë para se me kuptuar që jam sëmurë, e kam njohur djalin që sot është burri im.”

Mjekët i thanë për shkak të sëmundjes e operimit të kryer, gjasat për të patur fëmijë do të ishin fare të vogla.

“Kam bërë operim. Mjekët më thanë, 95% nuk ka shanse të kesh fëmijë. Në atë kohë kam qenë me im shoq i cili më thoshte nuk ka problem, sepse mund ta adoptojmë një fëmijë.”-ttregon Krenarja.

Mirëpo pas 8 vitesh, ndodhi mrekullia. Krenarja arriti të sjellë në jetën djalin e saj, Noarin. Një mrekulli me të vërtetë, një fëmijë i shëndetshëm që solli gëzim e bukuri në jetën e Krenares, e cila tashmë është shëruar prej kohësh nga sëmundja

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re