Ish-deputeti dhe ish-ministri i Bujqësisë i Partisë Demokratike, Rexhep Uka, refuzon të bëhet pjesë e garës për President të Republikës, pas propozimit nga deputetë demokratë.

Emri i tij u propozua në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së nga Xhelal Mziu, por Uka tregon se ai nuk ishte pyetur më parë nga deputeti i PD-së. Uka refuzon t’i ritkhehet politikës aktive, pasi duke i zhgënjyer dhe nuk mbështet formulën aktuale të zgjedhjes së Presidentit. Sipas tij, Presidenti i Republikës duhet të zgjidhet me votë nga populli.

“Unë e telefonova Xhelal Mziun dhe e falënderova për vlerësimin. Është mendimi i tij, por propozimi s’ka lidhje me mua. Nuk kam pasur asnjë njoftim, asgjë dhe as nuk jam pyetur. Nuk e pranoj. E shikoj një përgjegjësi shumë të madhe. Për këtë çështje kam një pikëpamje dhe bëj analiza shumë të thella për gjëra të tilla. Tashti nuk jam më i ri. E njoh mirë situatën. E bluaj, njoh edhe politikën. Ky është fakti që më frenon.

Nuk bëhem më si “kau balash”. Jam në fazën kur opinioni publik, njerëzit që më kanë mbështetur, njerëzit që më njohin, atë punë e kam provuar, kam tentuar dhe i kam thënë të gjitha mendimet e mia në të gjitha epokat. Në një farë mënyre kam shprehur atë që ndiej, por edhe kam kuptuar se ku gjendem. Dhe hiç nuk ka lidhje me mua kjo. Por gjithsesi e vlerësoj shumë faktin që deputeti më propozoi.

Pakënaqësitë e mia gjithmonë do nxjerrin një President nga sirtarët. E kemi parë se si shkon kjo punë. Unë e kam deklaruar, kam votuar kundër ndryshimeve kushtetuese. E kam thënë që në këtë katrahurë, populli le ta ketë një përfaqësues të vetin. Presidentët, kandidatët dalin, kemi modele në botë, përplasen me njëri-tjetrin, marrin notat e vërteta, por jo duke bërë vizatime nëpër sirtarë e nëpër kështu gjëra. Nuk është ky Presidenti që i duhet Shqipërisë.

Unë kam qenë partizan i kahershëm që Presidenti të zgjidhet nga populli. Të dalin atje në shesh. Vetëm përpara popullit merret vesh nëse është kallaj apo është bakër apo çfarë është” – ka thënë Rexhep Uka për gazetën Panorama.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re