Drejtuesi i një kamioni që shkaktoi një aksident të tmerrshëm dy vite më parë në një autostradë pranë Lakewood të SHBA-së, ku humbën jetën katër persona, mësoi dënimin më në fund të hënën.

Rogel Aguilera-Mederos, 26 vjeç, u dënua me 110 vjet burg, një vendim që ai e priti me lot, shkruan Daily Mail.

Nuk kisha zgjidhje tjetër, duart e mia ishin të lidhura. Sipas ligjit të Kolorados, më duhej ta dënoja për 27 krime dhe në vendin tonë, ato dënime duhet të kryhen në mënyrë të njëpasnjëshme,” tha gjyqtari A. Bruce Jones.

Aguilera-Mederos punonte për një kompani nga Hjustoni në momentin e aksidentit fatal. Prokurorët përcaktuan se ai po ecte me gati 140 km në orë atë ditë dhe u përplas me një kolonë makinash (përfshirë katër kamionë), pas së cilës pati një shpërthim në të cilin humbën jetën katër jetë.

“Ishte një masakër. Një nga aksidentet më të rënda të trafikut që kemi pasur ndonjëherë këtu,” tha një zëdhënës i policisë së Lakewood në një konferencë shtypi menjëherë pas aksidentit.

Përveç katër personave të vrarë në aksident, gjashtë persona të tjerë përfunduan në spital me plagë të rënda.

Edhe pse Aguilera-Mederos u mbrojt në gjykatë se i dështuan frenat, prokurorët menduan se ai mund të kishte reaguar më mirë.

“Ai mund të ishte kthyer në korsinë e kamionëve dhe kështu të shmangte aksidentin tragjik. Ai thjesht mori shumë vendime të gabuara,” këmbëngulën prokurorët.

Mbrojtësi i Aguilera-Mederos, nga ana tjetër, pohoi se klienti i tij nuk e dinte që i kishin dështuar frenat dhe se nuk do të mund të ndalonte mjetin.

Megjithatë, gjykata nuk pati mëshirë dhe Aguilera-Mederos u akuzua për një sërë veprash penale, duke përfshirë vrasjen e mbetur në tentativë.

Para dënimit, ai iu lut gjyqtarit që të tregohej i butë me të dhe më pas shpërtheu në lot.

“Ishte një aksident i tmerrshëm. Unë marr përgjegjësinë, por ishte një aksident. Unë kurrë nuk kam lënduar askënd në jetën time ose nuk kam pasur qëllim. Jezusi e di këtë, ai e njeh zemrën time. Unë nuk jam kriminel, as vrasës. Gjithçka që munda… rrezikova edhe veten për të mos dëmtuar të tjerët”, tha mes lotësh Aguilera-Mederos.

Ai pretendoi se u përpoq të shmangte autostradën e ngarkuar dhe theksoi se nuk u largua nga vendi i aksidentit.

 “Dëshiroj t’u kërkoj falje të gjithëve, më vjen keq për të vdekurit dhe të plagosurit. Nuk e di as sa herë kam menduar pse ata dhe jo unë”, përfundoi fjalën e tij Aguilera-Mederos, por gjyqtari nuk kishte mëshirë. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re