Një ngjarje e rëndë raportohet se ka ndodhur në aksin nacional Korçë-Pogradec, ku një person është gjetur në rrethana ende të paqarta pa shenja jete, në afërsi të fshatit Leshnicë.
Sipas informacioneve të para, dyshohet se viktima është përplasur nga një mjet i panjohur, i cili më pas është larguar nga vendngjarja.
Forcat e rendit janë duke bërë verifikime për të identifikuar mjetin dhe shoferin që mund të jetë përfshirë në këtë incident.
Sakaq, grupi hetimor është në vendngjarje për të mbledhur prova dhe për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Pogradec/ Informacion paraprak
Rreth orës 18:25, në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, në vendin e quajtur “Ura e Leshnicës” është gjetur i pa jetë shtetasi F. P. 40 vjeç, banues në Petrushë.
Nga veprimet e para të kryera në vendin e ngjarjes dhe këqyrja paraprake e trupit dyshohet të jetë aksidentuar nga një mjet i cili është larguar nga vendi i ngjarjes.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin e mjetit dhe drejtuesit të tij që dyshohet se ka aksidentuar me pasojë vdekjen, shtetasin F.P.
Ndërkohë shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet në servise dhe ambiente të ndryshme në të gjithë aksin rrugor Korçë – Pogradec dhe në fshatrat përreth, me qëllim gjetjen e automjetit dhe arrestimin e drejtuesit të tij.
