Stafi mjekësor i Spitalit Rajonal Berat është vetëkarantinuar mesditën e sotme.
Lajmi është bërë i ditur nga Drejtoresha e Spitalit Rajonal Berat, Edlira Shkëmbi.
Një mjeke nga lagjia ‘Kala’, një infermier dhe shoferi i ambulancës, kanë shkuar rreth orës 09:30 të mëngjesit të sotëm në një banesë në lagjen ‘Çlirim’, ku janë njoftuar për një paciente asmatike në gjendje të rëndë.
Pasi kanë shkuar në banesën e 50-vjeçares, stafi mjekësor ka konstatuar se, pacientja ishte e qetë, nuk kishte shenja klinike të krizës asmatike, nuk kishte temperaturë dhe shenjat vitale ishin normale.
Pacientja i ka referuar stafit mjekësor të Spitalit Rajonal Berat se, kishte prej disa ditësh kollë dhe dhimbje fyti, por i ka gënjyer ata për ardhjen e saj nga Italia 1-javë më parë.
Kur stafi mjekësor e ka pyetur nëse ka udhëtuar jashtë shtetit së afërmi ose nëse ka pasur kontakte me persona që kanë jetuar në Itali, pacientja u është përgjigjur ‘Jo’.
Por pasi kanë dalë jashtë banesës, stafi mjekësor ka mësuar nga fqinjët se gruaja kishte ardhur nga Italia një javë më parë; fakt që është konfirmuar edhe nga pacientja pas rikthimit të menjëhershëm të stafit sërish në banesë.
Në këto kushte, është njoftuar menjëherë 127 dhe epidemiologu për marrjen e mostrës së pacientes.
Njëkohësisht janë marrë edhe mostrat e stafit mjekësor të Spitalit Rajonal Berat, që ishin në kontakt me pacienten, të cilët janë vetëizoluar deri në ardhjen e përgjigjes së analizave të tamponëve./ top-channel