Pothuajse 40 mijë persona që janë aktualisht të prekur nga Covid 19, nuk mund të votojnë me Kodin Zgjedhor që kemi në datën 25 prill. Lajmi u dha nga kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, i cili tha se për këtë kategori personash nuk ka një pikë në Kodin Zgjedhor që tiu mundësojë votimin, ndërkohë që do të duhej një ligj në Kuvend që kjo të bëhej realitet.

Celibashi tha se Kodi Zgjedhor e parashikon qartë se qendrat e posaçme mund të ngrihen vetëm në spitale apo burgje, ku ka më shumë se 15 persona me të drejtë vote.

“Ne si KQZ nuk kemi asnjë lloj mundësie që t’iu krijojmë mundësinë për të votuar kur ata janë në banesë, i vetmi përjashtim që lejon Kodi Zgjedhor janë qendrat e posaçme, që mund të ngrihen në spitale apo në burgje, ku ka më shumë se 15 persona më të drejtë vote. 

Për hir të vërtetës ky është një problem, por ai duhet të qaset vetëm në mënyrë ligjore, personalisht e shoh shumë të vështirë që të gjendet një zgjidhje për këtë.

Uroj që numri i personave të prekur me Covid, që nuk kanë mundësi të shkojnë të votojnë të jetë i papërfillshëm, mund të ndryshojë vetëm me ndryshime në ligj. Kjo është një çështje që shkon përtej KQZ-së”, tha Celibashi.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re