Danimarka do të heqë TVSH-në për librat në një përpjekje për të nxitur leximin dhe për të trajtuar atë që e quan “krizë leximi” në vend. Me 25%, Danimarka më parë kishte taksën më të lartë në botë për librat, për të cilën qeveria thotë se ka ulur lexueshmërinë në popullatë.
Sipas Guardian, ministri i Kulturës Jakob Engel-Schmidt tha të mërkurën se qeveria do të përfshijë heqjen e taksës në projektligjin e saj të ri të buxhetit. Humbja e të ardhurave vlerësohet në 330 milionë korona në vit. “Është një masë për të cilën kam punuar personalisht, sepse besoj se duhet të shterojmë çdo mundësi nëse duam t’i japim fund krizës së leximit që për fat të keq është përhapur vitet e fundit”, theksoi ministri, duke shprehur kënaqësinë e tij për mbështetjen e kolegëve të tij për këtë investim.
Danimarka ishte i vetmi vend skandinav që aplikoi një TVSH kaq të lartë për librat. Në Finlandë norma është 14%, në Suedi 6%, ndërsa në Norvegji nuk ka taksë zero. Në Suedi, ulja e TVSH-së në vitin 2001 çoi në një rritje të shitjeve, megjithëse kjo rritje erdhi kryesisht nga lexuesit ekzistues.
Paralelisht me heqjen e taksës, Ministria e Kulturës ka angazhuar tashmë burime për të forcuar bashkëpunimin midis bibliotekave publike dhe shkollave, me qëllim njohjen e më shumë fëmijëve me letërsinë.
Sipas shifrave zyrtare, 8.3 milionë libra u shitën në Danimarkë në vitin 2023, në një vend me një popullsi prej pak më shumë se 6 milionë banorësh. Zhanret më të njohura ishin librat për fëmijë (libra me figura dhe aktivitete), të ndjekur nga romanet detektive, trillerat dhe librat misteriozë.
Në një lloj krahasimi realitetesh me Shqipërinë, te ne nuk është debat askund leximi apo efektet fiskale mbi të, por një TVSH e lartë mbi produktin bujqësor e blektoral, aplikuar që në 2018-ën, i ka dhënë një goditje të rëndë fermerit, duke ccuar në zgrip sidomos blektorinë. Por edhe pse kjo gafë fiskale është mëse e qartë, argumentuar deri dhe më lot në sy nga deputeti më profshatar Erjon Bracce, qeveria vijon në marrëzinë e vet krejt të pakuptueshme. /tesheshi.com/
