Një ditë pas aksidentit të frikshëm që ndodhi në afërsi të kinema Agimi, autobusi i shërbimit urban, qëndron ende mbi lumin e Lanës, për shkak të vështirësisë së hasur në zhvendosjen e tij.

Gazetari i Fax News Eduart Halili ka qenë sërish sot në vendin e ngjarjes, ku shihet se urbani qëndron në të dy anët e lumit Lana, ndërkohë që makina me të cilin ai u përplas pak përpara aksidentit të rëndë, është zhvendosur.

Në lidhje me aksidentin e ndodhur dje, policia edhe sot nuk ka një version zyrtar në lidhje me shkaqet.

Si pasojë e aksidentit mbetën të lënduar 5 persona, 4 prej të cilëve gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm lanë ambientet e spitalit të Traumës në Tiranë.

Në mesin e personave të plagosur janë drejtuesit e të dy mjeteve, faturino i urbanit, si dhe dy pasagjerë, njëri në mjetin e transportit publik, dhe tjetri në makinën që përfundoi në Lanë poshte rrotave të autobusit.

Një dëshmitar i tha Fax Neës jashtë kamerave, se përplasja mes dy mjeteve ka qenë shumë e fortë, dhe autovetura është tërhequr zvarrë për disa metra nga urbani, dhe më pas të dy kanë përfunduar në lumin e Lanës.

Fillimisht Policia njoftoi për 2 persona të lënduar, por më pas burime nga Trauma thanë se numri i të plagosurve ishte 5.

Në vendin e ngjarjes mbërritën mbrëmjen e djeshme ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu si dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj. Ky i fundit tha se asnjë prej drejtuesve të mjeteve nuk u gjet pozitiv për përdorimin e alkoolit, ndërkohë që linja urbane u inagurua vetëm para një jave prej tij.

Transporti publik në kryeqytet vijon që të jetë një gangrenë, ku janë me dhjetra rastet e qytetarëve që denoncojnë se shoferët apo faturinot konsumojnë alkool teksa janë në orarin e tyre të punës.

Jo më larg se fundjavën që lamë pas, një tjetër mjet urban u përfshi në aksident me vdekje, në zonën e ish-uzinës së autotraktorëve, ku përplasi motoristin, duke i shkaktuar humbjen e jetës.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re