Zgjerimi i BE në Ballkanin Perëndimor do të jetë padyshim një nga përparësitë e presidencës çeke të BE, tha ministri i Jashtëm çek Tomas Petricek, duke shtuar se Republika Çeke synon të organizojë një samit BE-Ballkan Perëndimor gjatë presidencës së saj.

Në një intervistë për EWB, ai tha se në atë samit, vëmendja do t’i kushtohej procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.

“Sa i përket zgjerimit të BE, ai patjetër do të jetë një nga përparësitë e presidencës çeke. Zgjerimi i BE është një përparësi afatgjatë e politikës së jashtme çeke,” tha Petriçek.

Sipas tij, pas luftërave të viteve 1990, BE është thellësisht e vetëdijshme për rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për stabilitetin dhe sigurinë e përgjithshme të Evropës dhe thekson se integrimi me vendet e tjera evropiane është mënyra më e mirë për të arritur paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në atë pjesë të botës.

“Ballkani Perëndimor është një rajon që është gjeografikisht shumë afër nesh dhe ne tradicionalisht kemi marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale dhe bashkëpunim të gjerë me vende të veçanta. Prandaj, ne ndiejmë fuqimisht nevojën për të sjellë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane”, tha ministri çek.

Ai thotë se vendet anëtare të BE e kuptojnë vlerën e procesit të zgjerimit dhe nevojën për të siguruar besueshmërinë e tij.

I pyetur nëse metodologjia e re e zgjerimit mund të përmirësojë procesin e negociatave të pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Petricek theksoi se ajo shton disa elemente të mirëpritur të parashikueshmërisë dhe dinamizmit, të tilla si konferenca të rregullta ndërqeveritare.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re