Ashtu si në të gjithë globin edhe në Shqipëri qytetarët po ndjekin me shqetësim ngjarjet dramatike me të cilën po përballet Ukraina, e cila u sulmua nga forcat ruse në agimin e të enjtes. Të pyetur nga gazetari i Zërit të Amerikës, qytetarët kanë dënuar sulmin.

Diçka e tmerrshme dhe e paimagjinueshme për shekullin ku jetojmë, thotë një grua, e cila me profesion është pedagoge.

“Kjo është ngjarja më e tmerrshme që po ndodh në këtë shekull, që jetojmë. Në vend të punohet për paqe dhe mirëkuptim mes njerëzve, që popujt të bashkëpunojnë të qetë me njëri tjetrin, na del një i çmendur që do të bëjë dhunë dhe askush nuk e di se ku do të dalë” – thotë pedagogia Elsa Veizi.

 “Patjetër që fajin e kanë politikanët për këtë që po ndodh. Patjetër që ata duhet të penalizohen, ata duhet të përgjigjen për krimet që po bëjnë dhe do të bëjnë. Shteti rus dhe populli rus duhen ndarë qartë. Mendoj që populli rus dhe populli ukrainas duhen mbështetur” – thotë Eglent Bici, një ekspert i tregjeve.

 “Zgjedhja e Shqipërisë nga ana politike ka qenë pranë Ukrainës dhe është në një linjë me Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe BE-ja. Mendoj se është e drejtë të qëndrojmë pranë këtij populli, të solidarizohemi me ta, sepse kjo është mbështetje për një kauzë të drejtë” – thotë Iris Xhanaj, juriste.

 “Ne të gjithë si aktivist bëmë një protestë (të enjten) pranë ambasadës ruse për t’u solidarizuar me qytetarët e Ukrainës, të cilët po përjetojnë një moment të tmerrshëm. Shohim nga mediat që gra e fëmijë ndodhen në kushte të tmerrshme në metrotë e Ukrainës për t’iu shpëtuar bombave. Kjo na kthen prapa në fantazmat e të kaluarës” – thotë Andi Tepelena, aktivist.

 “Shikojmë atë dhunë dhe na shkon mendja tek një luftë e tretë botërore. Në këtë shekull ka rrugë të tjera plot, ndaj nuk duhet shkuar tek lufta, çfarëdo arsye që të dalin. Mendoj se ka nevojë për rrugëzgjidhje diplomacie. Gjenden rrugët shumë lehtë, dhe nuk duhet të shohim që vriten njerëz” – thotë Valbona Kaçaj, artiste.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re