Teksa është ndaluar nga policia rrugore e Durrësit për shkak se po përdorte celularin në timon, 21-vjeçari me inicialet K.H, ka shfaqur shenja të nervozizmit, dhe pas kontrollit të detajuar i është gjetur me vete një sasi kanabisi, si dhe nuk kishte patentë për drejtimin e mjetit.

Ai është vënë në prangat e policisë, ndërkohë që i është sekuestruar dhe një shkop metalik që do ti rëndojë akuzat edhe për prodhimin dhe mbajtjen pa leje të armëve të ftohta.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Qarkullimit Rrugor në DVP Durrës, në vijim të kontrolleve të vazhdueshme për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave të sigurisë, kanë konstatuar në rrugën “Vëllazërimi”, Durrës, drejtuesin e një mjeti që po përdorte aparatin celular.

Pas ndalimit nga punonjësit e Policisë është konstatuar se drejtuesi nuk kishte leje drejtimi. Gjatë veprimeve nga punonjësit e Policisë, ky shtetas bënte lëvizje të dyshimta për të fshehur çantën e dorës. Nisur nga ky fakt, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll fizik ndaj tij dhe në mjet, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde narkotike cannabis sativa dhe një shkop metalik.

Në vijim të veprimeve nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi K. H., 21 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re