Futbollisti Andi Lila deklaroi dje në një emision televiziv se futbollistëve të kombëtares i janë hequr pasaportat diplomatike duke akuzuar ministrin e Jashtëm Gent Cakaj se i kishte hequr privilegjet që i kishte dhënë kreu i qeverisë Edi Rama.

Por si qëndron e vërteta

Në Vendimin e Këshillit të Ministrave të miratuar më 12 qershor mbi heqjen e pasaportave diplomatike, pas nismës së ministrit Cakaj thuhet se këto pasaporta janë ende të vlefshme dhe do vijojnë të qendrojnë në fuqi deri në fundin e dhjetorit të këtij viti.

Ndërsa nuk ka një vendim të veçantë që i heq pasaportat diplomatike vetëm futbollistëve të kombëtares.

Vendimi i Këshillit të Ministrave lidhur me pasaportat diplomatike

Ndërsa burime për Report Tv thonë se është kryeministri Edi Rama i cili mund të rikthejë pasaportat diplomatike për ndonjë kategori të caktuar. Kjo mund të vijë në rast se kombëtarja mund të paraqesë rezultate të mira në përballjet e ardhshme. Vetë kreu i qeverisë i dërgoi një mesazh të koduar djemve të kombëtares teksa i vizitoi gjatë seancës stërvitore përpara ndeshjes me Islandës e cila do të mbahet mbrëmjen e sotme në Elbasan Arena.

“Kur fitojnë mbajnë radhë të të tregojnë sa të duan, kur humbet e ke ti radhën t’u tregosh se sa vlen”, shkruan Rama duke i nxitur ata akoma më shumë për të marrë një rezultat të kënaqshëm në ndeshjen e sotme.

Ndërkohë vetë ministri i Jashtëm Gent Cakaj u shpreh se lajmi i shpërndarë për heqjen e pasaportave diplomatike nuk është i vërtetë.

“Duke i uruar Kombëtares së Shqipërisë një mbrëmje të suksesshme sonte, informoj se lajmi i shpërndarë në hava, lidhur me heqjen e pashaportave diplomatike të kuqezinjve është fundekrye i gënjeshtërt”- shkruan Cakaj

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re