Nga Justinian Topulli

Allahu ka garantuar se do ta ruaj Kuranin dhe kjo garanci pa më të voglin dyshim përfshin vetë burimet fondamentale të Islamit, që janë Kurani dhe Suneti.

Kurani është ruajtur përmes mësimit përmendësh, që nga koha e Profetit (alejhi salatu ue selam) brez pas brezi nga një shumësi aq e madhe njerëzish ku mundësia për të ndryshuar apo devijuar me qëllim apo gabimisht qoftë edhe shqiptimin e një shkronje është praktikisht ZERO. Krahas kësaj metode bazike, Kurani është ruajtur edhe përmes shkrimit të tij, që nga koha e Profetit, por sigurisht kjo metodë vjen si plotësuese e së parës dhe jo ajo bazike, edhe pse shumë njerëz mendojnë gabimisht se kjo mënyrë është kryesorja.

Suneti është ruajtur nga qindra mijëra transmetues, të cilët i kanë përcjellë hadithet me gojë dhe me shkrim nga njëri brez në tjetrin, si dhe nga kontributi i qindra dijetarëve, të cilët jo vetëm i kanë shkruar dhe mbledhur këto hadithe, por edhe kanë bërë vlerësimin e çdo transmetuesi duke kaluar në sitën e autenticitetit mbarë korpusin e gjerë të transmetimeve.

Por, përveç garantimit të ruajtjes së fesë përmes ruajtjes së autenticitetit të burimeve të saj, Islami është ruajtur edhe nga tradita e pandërprerë e mësimit, kumtimit, përçimit, transmetimit, interpretimit dhe shpjegimit të pandërprerë, që hoxhallarët dhe dijetarët islam i kanë bërë kësaj feje në të gjitha kohërat dhe vendet, të lidhur brez pas brezi.

Kjo do të thotë se në mënyrë kategorike dhe absolute nuk ka në historinë islame asnjë periudhë ndërprerje, apo të errët ose të mjegullt e të paqartë, ku dikush apo disa, të kenë futur duart duke ndryshuar të vërtetën që i erdhi Muhamedit (alejhi salatu ue selam) dhe kjo të jetë bërë pjesë e fesë si të ishte e vërteta e saj absolute.

Padyshim ka pasur dhe do të ketë njerëz gabimtar, apo edhe keqdashës dhe injorant dhe manipulues që kanë tentuar dhe do të tentojnë me vetëdije ose jo, të fusin në Islam gjëra që nuk i përkasin atij, por në asnjë rast, këto atavizma dhe deformime nuk janë kthyer kurrë dhe nuk do të kthehen në fenë e pranuar dhe miratuar njëzëri nga të gjithë muslimanët.

Nëse do të kishte ndodhur ky deformim, premtimi i Allahut atëherë do të kishte qenë i pavërtetë, hasha!

Duke qenë se diçka e tillë është absolutisht e pamundur, atëherë të gjitha zërat që ngrihen poshtë e përpjetë, nga injorantë me shkollë e pashkollë feje, të sinqertë ose jo, që hallakaten nëpër errësirat e dilemave dhe dyshimeve që lexojnë sa andej këndej, duke supozuar se kanë zbuluar të vërtetën e fesë islame për herë të parë sot, apo se kjo e vërtetë paska qenë e fshehur për qindra vjet, janë absolutisht dhe katërçipërisht të humbur në padijen dhe injorancën e tyre.

U del si detyrë hoxhallarëve që këtij fenomeni në rritje, t’i japin përgjigje me argumente dhe fakte, sepse ilaçi më i mirë i injorancës është dija me atë sasi dhe cilësi që kërkon edhe injoranca përkatëse.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re