Nga Blerina Goce

Pas 18 vjetësh, e bija e Nikolin Xhojës hedh dritë mbi vdekjen e të atit të saj. “E kam peng vdekjen e babait tim, që është pasojë e indiferencës së organeve kompetente të asaj kohe. Po ta dërgonin jashtë shtetit dhe ta operonin, babai im do të ishte gjallë akoma tani”, thotë Aksinja Xhoja në një intervistë për “Tirana Observer”, ku rrëfen kujtimet e saj me të atin.

“Fatkeqësia e babai tim ishte që jetoi në një kohë kur Shqipëria ishte e mbyllur hermetikisht”, vazhdon Xhoja, teksa rrëfen edhe për periudhën kur babai i saj nuk u lejua të dilte në ekran. “Atëherë kishin burgosur vëllain tim të madh, Ugon, për agjitacion e propagandë, pse kishte thënë që: “Sekretari i parë nuk ka intelektin të drejtojë, sepse është karrocier pa shkollë.

Ndaj edhe veprimtaria e babait tim u pezullua për një kohë të gjatë”, shpjegon ajo, duke shtuar se e ndjen shumë mungesën e të atit. “Pas vdekjes së tij akoma nuk kam hasur në një shok të sinqertë si ai”.

 

Cila është ajo gjë që ju bie menjëherë ndërmend kur flisni për babanë tuaj?

Alegria e tij, dashuria e madhe që kishte për artin dhe respekti që kishte për njerëzit, pa bërë dallim të pozitës shoqërore të tyre.

 

Nikolin Xhoja juaj njihet si një nga aktorët më të mirë në Shqipëri. Çfarë do të thoshit ju për për babain tuaj si artist dhe si lindi pasioni i tij për aktrimin?

Për mendimin tim, babai ishte një artist i kalibrit ndërkombëtar. Pasioni i tij për teatrin ka lindur së bashku me të.

 

Çfarë tipi ishte babai juaj dhe çfarë marrëdhëniesh kishte me kolegët dhe njerëzit që e rrethonin?

Për mamanë time ai ishte bashkëshort ideal, për mua dhe vëllezërit e mi ishte baba i jashtëzakonshëm, për kolegët e tij ishte një shok shumë i mirë dhe i sinqertë.

 

Kur e keni parë për herë të parë të interpretojë babain tuaj?

Isha rreth katër vjeç, kur e pashë për herë të parë të interpretonte Podgolisenin tek “Martesa” e Gogolit.

 

Cili rol i interpretuar prej tij ju pëlqen më tepër?

Podgolisenin. Më kujtohet që një kritik rus, pasi pa këtë shfaqje i tha: “Gogoli do të ishte i lumtur po të shihte sa bukur e ke realizuar këtë personazh”.

 

Çfarë kujtoni nga jeta me të?

Mund të them se ndihem me shumë fat, sepse kam lindur dhe jam rritur në një familje të lumtur ku çdo moment delikat babai dhe nëna ime e ekuilibronin me shumë zgjuarsi.

 

Sa e vështirë ishte për ju të jetonit në familjen e një artisti, aq më tepër në atë periudhë?

Kur ndodhesha brenda mureve të shtëpisë, ndihesha shumë e lumtur, ndërsa jashtë atyre mureve mundohesha të autokontrolloja çdo veprim apo fjalë timen. Babai më kishte këshilluar të numëroja deri në dhjetë me mend dhe pastaj të flisja.

 

Çfarë marrëdhëniesh kishit me babanë tuaj, baba-vajzë apo shok-shoqe?

Marrëdhëniet e mia me babain tim ishin si baba-vajzë ashtu dhe shok-shoqe. Pas vdekjes së babait akoma nuk kam hasur në një shok të sinqertë si ai. E ndjej shumë mungesën e tij. Tani shoqja ime më e mirë është Marilyn, vajza ime.

 

Flitet se, përveç aktor i madh, babai juaj ka qenë edhe njeri i humorit. Cila është batuta më e fortë që ka thënë ndonjëherë babai juaj?

Po të filloj të tregoj ato që më kujtohen, mbushen shumë faqe. Një herë babai ishte duke interpretuar “Qasim Mulletin” në teatër dhe në atë moment po thoshte monologun, duke mbajtur një cigare të ndezur në dorë. Pa pritur në skenë hyn një polic i rendit publik dhe i thotë babait: “Shoko, ma jep ta nez i herë?” Babai ia ndezi duke i thënë: “Urdhëro ndize dhe dërgoi të fala Duçes nga ana ime”.

 

Cilët ishin miqtë më të afërt të tij?

Ai i konsideronte të gjithë kolegët e tij si miq të afërt. Kur mbaronin provat në teatër shpeshherë të gjithë si ishin, vinin në shtëpinë tonë dhe, duke krijuar një atmosferë shumë të këndshme vazhdonin provat.

 

E kishte mik babai juaj Albert Vërrinë ashtu si në filmin “Kapedani”?

Edhe pse jetonin në qytete të ndryshme, babai e ka ruajtur shoqërinë dhe lidhjen miqësore me Albert Vërrinë.

 

Sa i vlerësuar është ndjerë babai juaj në Shqipëri, si aktor dhe si njeri?

Babai im e ndiente veten mjaft të vlerësuar si aktor, sepse vlerësonte ngrohtësinë dhe dashurinë që spektatorët shprehnin për të, gjithashtu e ndjente veten të rrethuar nga miq të vërtetë dhe kjo u pa në varrimin e tij. Me gjithë urdhrat që vinin nga Komiteti i Partisë për të ulur arkivolin përpara teatrit, shokët dhe kolegët e tij me shumë guxim e dashuri vazhduan ta mbanin në krah deri në varreza. Të gjithë njerëzit që gjendeshin përkrah rrugës duartrokisnin pa pushim.

 

Mendoni se në kushte të tjera babai juaj do të ishte bërë edhe më i njohur se sa është sot?

Sigurisht, fatkeqësia e babai tim ishte që jetoi në një kohë kur Shqipëria ishte e mbyllur hermetikisht, nuk pati mundësi të bashkëpunojë me teatrot e vendeve të ndryshme dhe nuk ka lënë shumë filma.

 

Përse për njëfarë kohe ai nuk po dilte në ekran? Pse u dënua babai juaj?

Babai im dhe nëna, për një kohë të gjatë nuk dolën në ekran e u pezulluan veprimtaritë e tyre, sepse atëherë kishin burgosur vëllain e madh të timin, Ugon, për agjitacion e propagandë, pse kishte thënë që: “Sekretari i parë nuk ka intelektin të drejtojë, sepse është karrocier pa shkollë”.

 

Kë keni takuar në atë kohë të largimit nga ekrani dhe të dënimit të babait tuaj dhe çfarë ju ka thënë në lidhje me këtë?

Shumë nga shokët dhe kolegët vazhduan ta frekuentojnë, por disa të tjerë kthenin kokën në anën tjetër të rrugës kur shihnin babain për të evituar përshëndetjen.

 

Ruani ndonjë gjë të veçantë nga babai juaj dhe nga jeta që keni kaluar me të?

Më ka dhuruar mësimet më të çmuara të jetës që më kanë vlejtur më shumë se 16 vjet shkollë në Shqipëri, 3 specializime në Itali, 2 në Angli dhe 1 në Francë. Ai më thoshte: “E rëndësishme në jetë është dituria dhe jo pasuria”.

 

Si e kujtoni babain tuaj në vitet e fundit të jetës? Kishte diçka që i mbeti peng dhe nuk mundi ta realizonte?

Babait i kishte ngelur peng që nuk kishte realizuar ëndrrën e tij të takimit me të atin në Itali. Ndërsa unë kam peng vdekjen e babait tim, që është pasojë e indiferencës së organeve kompetente të asaj kohe. Po ta dërgonin jashtë shtetit dhe ta operonin, babai im do të ishte akoma gjallë tani.

 

Kur e keni takuar për herë të fundit babanë tuaj? Nga se dhe si është ndarë nga jeta ai?

Babai vdiq nga “cerosi epatica”, pasi vuajti për tre vjet me radhë.

 

Ju sot jeni një pianiste e shkëlqyer. Sa ka ndikuar babai juaj në zgjedhjen që keni bërë?

Çdo gjë që kam arritur deri tani unë ia dedikoj babait dhe nënës sime, të cilët më kanë mbështetur gjithmonë dhe më kanë ndenjur shumë pranë për të realizuar ëndrrat e mia. Pas çdo koncerti, kur më sjellin lulet unë i them që këto lule janë për babin dhe për nënën time.

 

Mund të na tregoni diçka për jetën tuaj në Itali?

Jetoj në Itali që prej 16 vjetësh, kam një vajzë 13 vjeçe, Marilyn, që ka filluar të luajë në piano që në moshën 3-vjeçare. Jam e martuar me Marcello Scardicchio, së bashku kemi hapur qendrën e prodhimit televiziv e kinematografik, si dhe agjencinë artistike “Xenia”, ku realizojmë dokumentarë, filma artistikë, spektakle të ndryshme si dhe master class për aktorë dhe regjisorë pranë studios “Nikolin Gioia (Xhoja)” në Brindisi.

Nëna ime, Meropi, prej viteve 1991 jeton me ne në Brindisi, sepse Bashkia e Durrësit në mungesë të saj e morën shtëpinë dhe jemi akoma në pritje për të marrë shtëpinë e re. Mamaja ime ka shumë dëshirë e mall për të jetuar në Shqipëri, por kjo varet nga Bashkia e Durrësit.

Unë vazhdoj jetën koncertale në Itali, Angli, Francë, luaj me orkestrën simfonike “The virtuosi of London” si soliste dhe vazhdoj të jap mësim pianoje, kanto dhe histori muzike në Akademinë e Baletit “Tersicore”e Antonella Di Lecceqe është filiale e Akademisë Internacionale të Montekarlos.

 

Kishte ndonjë pasion tjetër të veçantë përveç aktrimit babai juaj?

Im atë kishte pasion të veçantë muzikën, këndonte dhe luante në kitarë e në fizarmonikë.

 

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re