Nga: Sali Shasivari

Se, sllavët ortodoksë – përgjatë historisë – kanë ushtruar krime dhe gjenocid të vazhdueshëm ndaj popullit shqiptar…, dihet botërisht; por, kjo e vërtetë e hidhur, duhet të dokumentohet dhe të promovohet!

Se, fuqitë e mëdha evropjane – përgjatë historisë – kanë qenë mospërfillës, arbitër të padrejtë, palë e njëanshme, nëpërkëmbës, dhe shkelës të të drejtave të natyrshme të popullit shqiptar, bile-bile edhe nxitës dhe partner në krime…, është fakt i pakontestueshëm; dhe se, i njejti, duhet të denoncohet dhe të përmirësohet!

Se, Kosova dhe populli kosovar iu nënshtrua një agresioni fashist serbomadh, dhe një lufte gjenocidale dhe shfarrosëse përgjatë viteve të 90-ta të shekullit të kaluar…, është realitet i pamohueshëm, i cili, duhet në vazhdimësi të propagohet, të paditet, dhe të dënohet!

Se, më meritorët për çlirimin e Kosovës dhe popullit kosovar nga fashistët serbë, ishin rezistenca dhe sakrificat legjendare të popullit kosovar në përgjithësi, si dhe lufta dhe sakrificat e UÇK-së në veçanti…, është e vërtetë, e cila, duhet në vazhdimësi të qartësohet!

Se, po aq meritorë për çlirimin e Kosovës dhe popullit kosovar nga fashistët serbë, ishin përkrahja dhe solidarizimi ndërkombëtar ndaj kauzës së drejtë kosovare në përgjithësi, si dhe mbështetja dhe intervenimi i miqve dhe aleatëve të shqiptarëve dhe popullit kosovar – në krye me SHBA-të – në veçanti…, është fakt i dokumentuar, dhe se, kjo mirësi, duhet të kultivohet dhe të mos harrohet!

Se, fuqitë e mëdha perendimore, përreth intervenimit ushtarak dhe marrëveshjeve të ndryshme që i ‘dizajnuan’, ata, për hirë të interesave të tyre afatgjate, sikurse dikur Bosnjen, edhe Kosovën e lanë si ‘problem të hapur’ dhe të pazgjidhur…, është fakt i hidhur, i cili duhet të analizohet, dhe të ndryshohet!

Se, ishte Serbia ajo që e okupoi dhe i bëri invazion Kosovës, si dhe shkaktoi terror shtetëror ndaj popullatës autoktone dhe të pafajshme kosovare, duke vrarë, masakruar, dhe ekzekutuar qindra dhe mijëra fëmijë, gra dhe pleq, duke dëbuar qindra mijëra të tjerë, dhe duke aplikuar ‘politikën e tokës së djegur’…, është krim dhe turp, për të cilin Serbia duhet në vazhdimësi të përkujtohet!

Se, përreth gjitha bëmave të Serbisë, fuqitë e mëdha perendimore, vazhdojnë ta barazojnë viktimën me agresorin, bile-bile, në të shumtën e rasteve, viktimën e trajtojnë keq dhe padrejtësisht, ndërsa agresorin e përkdhelin dhe e llastojnë…, është tejet evidente, dhe se, qëndrimet e këtilla, duhet në vazhdimësi – me fakte dhe argumente – të sfidohen!

Se shoqëria kosovare – sikurse ajo shqiptare në përgjithësi – fatin e saj ekzistencial e ka lidhur me teket e ambasadave dhe ambasadorëve të huaj dhe disponimin e tyre, qoftë edhe kur ata nuk përfaqësojnë detyrimisht qëndrimin zyrtar të shteteve të tyre…, është fenomen simptomatik pan-shqiptar, i cili duhet të rishikohet!

Se, klasa politike kosovare, përgjatë plotë dy dekadave të pasluftës, nuk arriti që të bëjë minimumin që kërkohet karshi një tragjedie të përmasave të gjenocidit serbomadh ndaj popullit kosovar, duke e paditur agresorin për krimet dhe gjenocidin e shkaktuar…, është lëshim serioz, i cili duhet të dënohet dhe të përmirësohet!

Se, çështja e raporteve Kosovë-Serbi është pjesë e pandashme e gjeopolitikave të mëdha globale në mes dy blloqeve, SHBA-ve dhe Rusisë, si dhe Evropës së ndarë dhe të përçarë ideologjikisht dhe politikisht…, është sekret publik dhe i pakontestueshëm, i cili duhet një herë e përgjithmonë të kuptohet!

Se, Serbia, çdo hap të saj e ka ndërmarrë në koordinim të plotë në mes masave të gjera të popullit serb gjithandej, klasës politike, Akademisë së Shkencave, Kishës Ortodokse, dhe ushtrisë…, është fenomen, i cili meriton të studjohet!

Se, Kosova, çdo hap të saj e ka ndërmarrë sipas tekeve të klaneve parapolitike, të përcjellura me folklor popullor, në emër të Laicizmit, në bashkëpunim me Akademinë e Yjeve të Estradës, dhe nën slloganin ‘O sa mirë me qenë shqiptar’…, është paradoks i llojit të vet (sui generis), që duhet të ndryshohet!

Se, klasa politike kosovare, përgjatë dy dekadave që nga pavarësimi i Kosovës, në saje të injorancës, indiferencës, servilizmit, tradhëtive, interesave personale, vjedhjeve, korrupcionit, nepotizmit, etj., nuk arriti të krijojnë shtet funksional…, është realitet i hidhur dhe i turpshëm, i cili duhet të sanksionohet!

Se, qeveritë e mëparshme të Kosovës, një dekadë të plotë (që nga viti 2011), në emër të ‘dialogimit’, janë sorrollatur nëpër kryeqendra të ndryshme perendimore, duke u kthyer vazhdimisht ‘duarthatë’ në aspektin e arritjeve politike, ndërsa, ‘duarplotë’ në aspektin e përfitimeve personale…, tashmë është ‘serial’ i pamur dhe i dëshmuar, i cili duhet të ndërpritet dhe të dënohet!

Se, ‘njohja e Kosovës nga ana e Serbisë’ është shndërruar në çështje jetike, bile më e rëndësishme se sa padia ndaj Serbisë për krimet dhe gjenocidin e shkaktuar, kërkimi i dëmshpërblimit, gjetja e të humburve, krijimi i institucioneve të mirëfillta, shtetformimi, reciprociteti, etj. …, është histeri kolektive, e cila duhet të shërohet!

Se, Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, bashkë me qeverinë e tij, po i nënshtrohet një ‘inkuizicioni’ politik dhe mediatik të përmasave histerike, duke kërkuar prej tij që t’i zgjidh të gjitha të ‘palarat’ e bëra përgjatë më se dy dekadave, edhe atë, brenda disa javëve dhe muajve…, është hipokrizi, e cila duhet të evitohet!

Se shoqëria kosovare – sikurse ajo shqiptare në përgjithësi – është korruptuar në të gjitha sferat dhe poret e jetës, me ç’rast antivlerat janë shndërruar në vlera, e pavërteta në të vërtetë, e padrejta në drejtësi, etj. …, është trend i cili duhet të ndalet!

Se, shoqëria kosovare – sikurse ajo shqiptare në përgjithësi – po fundoset ditë e më tepër në antagonizma të brendshme të pakuptimta dhe vetëdestruktive, duke u shndërruar në kafshatë të lehtë për t’u gëlltitur nga të tjerët…, është ‘aventurë’ tejet brengosëse dhe e rrezikshme, e cila duhet të stopohet!

Përndryshe, Kosova, për fat të keq, rrezikon të ‘zhbëhet’, para se ‘të bëhet’…!!!

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re