Një ditë pas ekzekutimit të Nikolin Lekstakaj në fshatin Balldre të Lezhës, policia ka shoqëruar disa persona, mes tyre edhe anëtarë të fisit Nikulaj, të cilët për shkak të hasmërisë së njohur me familjen Lekstakaj mbeten të dyshuarit kryesorë për ngjarjen.

 

Policia gjithashtu po sheh me imtësi pamjet nga kamerat e sigurisë së bizneseve, që gjenden në rrugën Balldre-Lezhë, për të parë lëvizjet e autorëve pas vrasjes.

 

42-vjeçari u qëllua me armë nga një mjet me xhama të zinj në lëvizje, teksa po dilte nga një market.

 

Në dëshminë paraprake para uniformave blu, vëllai i viktimës, Bled Lekstakaj, ka thënë se ai sapo ishte kthyer nga Tirana dhe ishte në shtëpi me nënën e tij në momentin që Nikolini i kishte marrë makinën, për të shkuar për të blerë diçka në market.

 

Nikolin Lekstakjat i ishte bërë atentat edhe më herët. Në vitin 2012 atij iu vu eksploziv në makinë, një ngjarje e cila ende sot nuk ka autorë.

 

Vrasja e Nikolin Lekstakajt ndodhi fiks tre muaj pas ekzekutimit të biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin, ngjarje për të cilën janë arrestuar disa vrasës me pagesë nga Portugalia dhe Britania e Madhe.

Dyshohet se këtë atentat e organizoi dhe financoi Edmond Haxhia, nipi i familjes Lekstakaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re