Është gjetur trupi i pajetë i një 25-vjeçari shqiptar, i cili të dielën në mbrëmje u qëllua me armë zjarri gjatë një tentative për vjedhje në Foria di Centola, në provincën e Salernos, Itali.
I riu, i cili ishte babai i një fëmije dhe do të martohej për pak ditë, rezultonte i zhdukur prej ditësh.
Trupi i tij është gjetur i varrosur pranë fushës sportive në zonën San Severino, pas rrëfimit të pronarit 60-vjeçar të banesës që u tentua të grabitej.
Ky i fundit, i shoqëruar nga avokati, është paraqitur këtë mëngjes në Prokurori, në gjendje të rënduar emocionale, ku ka rrëfyer vrasjen dhe vendin ku kishte fshehur trupin.
Gjatë një dëshmie të gjatë, ai ka treguar se kishte ‘qëlluar mbi të riun pas përplasjes me grabitësit, dhe më pas kishte transportuar trupin në një truall që i përkiste vëllait të tij, ku e kishte varrosur’.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Itali dhe Shqipëri. Mësohet se në momentin e grabitjes, autorët kishin arritur të merrnin edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se mund të jetë përdorur gjatë përplasjes me armë.
Një tjetër shqiptar është plagosur rëndë në gjoks dhe ndodhet në gjendje kritike në spitalin “Cardarelli” të Napolit, ndërsa personi i tretë është ende në kërkim nga autoritetet italiane.