Ekonomia shqiptare e përballoi më lehtë se sa pritej krizën ekonomike të shkaktuar nga pandemia. Fakti që disa tregues ekonomik janë rikthyer në nivelet e para të krizës, është një fakt se recesioni ekonomik quhet i përfunduar. Por, nuk mund të themi se s’ka krizë. Erald Themeli, drejtor i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, i ftuar në E-ZONË tha se shenjat e rigjallërimit janë të dukshme.

 

“Duket se recesioni mbaroi apo faza kritike e ekonomisë ka kaluar. Në projeksionet tona ne parashikojmë që ekonomia do të vijojë me trajektore rritjeje përgjatë 2021 dhe 2022. Kjo vetëm nëse pandemia nuk do të bëhet më pengesë. Por pritshmëritë e këtij projeksioni janë pozitive dhe ka disa arsye për këtë, shifrat e vaksinimit po ecin me ritme të mira, zhvillimet në tregun ndërkombëtar janë po ashtu pozitive, si dhe ndërhyrjet e qeverisë për të lehtësuar më tej aktivitetin ekonomik janë arsye të forta për të menduar që recesioni përfundoi.”

 

Lidhur me faturën financiare që shkaktoi pandemia në vitin që lamë pas, Banka Qendrore e ka një shifër.

 

“Fakti që ekonomia ra me 3% në vitin që lamë pas, sipas INSTAT, e përkthyer në shifra, është një faturë prej 80 mld lekë që i kanë munguar ekonomisë; pra janë prodhim dhe shitje të munguara në ekonominë tonë”, pohoi Themeli në E-ZONË.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re