Nga sot çdo qytetar do t’i marrë shërbimet vetëm nëpërmjet kompjuterit, një sfidë e cila do të vërë në vështirësi mijëra qytetarë që nuk janë të familjarizuar me teknologjinë.

 

Por edhe pse disa prej këtyre shërbimeve kanë nisur të aplikohen prej kohësh, noterët që kryejnë pjesën më të madhe të këtyre shërbimeve në emer të qytetarëve që nuk munden, ngrenë pikëpyetje për suskesin e kësaj reforme.

 

Zv/kryetari i Dhomës Kombëtare të Noterëve, Fatmir Lacej, ftuar në “E-ZONE”, thotë se edhe sot janë mijëra aplikime që nuk marrin përgjigje në kohë nga administrate.

 

“Kjo është një reformë pozitive, pasi shkurton kohë dhe kosto, por deri më tani kryesisht në Kadastër janë me qindra, për të mos thënë me mijëra aplikimet që nuk marrin përgjgje në afat. Ndërsa shpeshherë dëgjojmë që nuk punon sistemi dhe qytetarët nuk marrin shërbim në kohë. Ka dhe raste kur vetë nëpunësit i kthejnë përgjigjet të paplota. Çfarë ndodh në raste të tilla? Këto janë disa sfida që vetë administrata nuk është ende gati t’i ofrojë në të mirë të qytetarëve”, u shprej Lacej.

 

Sipas tij, duhet të ketë masa konkrete në rastet kur nëpunësit nuk janë të përgjegjshëm si në përgjigjet e cunguara që kthejnë, ashtu edhe në afatet që nuk respektohen. Në çdo rast sipas tij, noterët do të jenë porta kryesore në shërbim të qytetarëve për çdo paqartësi që ata do të kenë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re