Qeveria ka vendosur të aplikojë një taksë prej 65 lekë/litër për mjetet lundruese me flamuj të huaj që furnizohen me karburant në vendin tonë. Por, kjo masë shihet me shqetësim nga industria e turizmit në vend, pasi ajo do të stepë vizitorët të vijnë në rivierën shqiptare. Ilir Misa, eskpert detar shpjegoi në emisonin E-ZONË se me këtë masë një mjet lundrues do të zgjedhë të vizitoje vendet fqinje.

 

“Nëse qeveria na garanton se edhe pas kësaj mase jahtet do të vijojnë të vijnë në vendin tonë, ne nuk kemi asnjë shqetësim. Por rreziku është se këta turistë cilësorë do të zgjedhin portet e vendeve fqinjë, të cilët janë më konkurues në këtë drejtim”, u shpreh Ilir Misa.

 

Sipas industrisë së turizmit, nga kjo masë janë të humbura të dyja palët, si shteti ashtu edhe bizneset në zonat bregdetare, sidomos Saranda, e cila për shkak të pandemisë u penalizua nga ardhja e krocerave.

 

“Vet shteti do të humbë tarifat që aplikojnë portet për këto mjete lundruese. Do të humbë tatimin mbi fitimin nga bilancet e kompanive që janë pjesë zinxhirë e këtij aktiviteti, si karburantet, bizneset tursitike etj. Shumë individë do të dalin të papunë pasi kostot të rriten, dhe është e pashmangshme shkurtimi i stafit”, shpjegon më tej Misa.

 

Sipërmarrësit e fushës kërkojnë që kjo masë e pastudiuar më parë lidhur me efektin negativ që do të ketë, duhet të shtyhet për të paktën një 5-vjeçar. Si pasojë e aplikimit të karburantit pa taksa për mjetet lundruese, Shqipërinë, vitet e fundit e kanë vizituar biznesmenë të njohur, duke bërë që bregdeti ynë të jetë në vëmendjen edhe të mediave të huaja.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re