Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kanë pezulluar marrëveshjen për heqjen e vizave me Izraelin në një përpjekje për të ndaluar përhapjen e koronavirusit e ri (COVID-19).

Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit përmes një kumtese njoftoi se pezullimi do të vazhdojë deri më 1 korrik.

“Ministria e Punëve të Jashtme të EBA-s ka informuar se sipas marrëveshjes së nënshkruar të heqjes së vizës dhe në përputhje me përpjekjet e bëra për të kufizuar përhapjen e koronavirusit, marrëveshja e heqjes së vizës do të pezullohet deri më 1 korrik”, thuhet në deklaratë.

“Deri në datën e lartpërmendur, qytetarëve izraelitë do t’u kërkohet të marrin vizë hyrëse para se të udhëtojnë në EBA dhe qytetarëve të EBA-s do t’u kërkohet të marrin një vizë hyrëse para se të udhëtojnë në Izrael”, thuhet në deklaratë.

Mijëra izraelitë kanë udhëtuar në EBA në muajt e fundit, pasi dy vendet arritën marrëveshje për heqjen e ndërsjellë të vizave për qytetarët e të dy vendeve brenda kornizës së marrëveshjes së tyre për normalizimin e marrëdhënieve.

EBA është vendi i parë arab që nënshkroi një marrëveshje për heqjen e vizave me Izraelin.

Izraeli dhe EBA nënshkruan një marrëveshje të sponsorizuar nga SHBA më 15 shtator të vitit të kaluar për të normalizuar marrëdhëniet e tyre, një veprim që u pasua nga Bahrejni, Sudani dhe së fundmi Maroku.

Marrëveshjet e normalizimit kanë shkaktuar reagime të shumta të palestinezëve, të cilët thonë se marrëveshjet injorojnë të drejtat e tyre dhe nuk i shërbejnë çështjes palestineze.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re