Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ka folur në lidhje me vijueshmërinë e COVID-19. Nga studio e “Provokacia”, Brataj është shprehur se nuk dihet sesa do të qëndrojë virusi, duke dhënë edhe shembullin e gripit spanjoll, i cili ka zgjatur për dy vjet.

Më tej ai ka shtuar, se pas verës COVID-19 do t’i shtohet edhe një ushtar tjetër që është gripi sezonal. Sipas Brataj, vala e parë nuk ka ikur ende dhe po e kalojmë aktualisht.

“Virusi nuk e dimë sa do të rrijë. Në historinë e pandemive ka pasur sezone edhe vite. Ato të mesjetës kanë zgjatur 6-7 vjet. E fundit, gripi spanjoll ka zgjatur 2 vjet. Mund të zgjasë ky si grip dhe ndërkohë i vjen sezonaliteti i gripit të zakonshëm që e përkeqëson gjendjen. Do t’i shtohet edhe një ushtar tjetër në krah. Vala e parë nuk ka ikur, e kemi prezent”, tha Brataj.

Në 24 orët e fundit ndërkohë u shënuan 55 raste të reja me COVID-19. Gjithashtu tre pacientë të tjerë humbën betejën me virusin. Aktualisht në spitalet COVID ka 106 pacientë të shtruar, 9 prej të cilëve në terapi intensive, ku 1 është intubuar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re