Sekretari për çështjet ligjore i Berishës, Ivi Kso, ka reaguar në lidhje me vendimin e nga Kolegjit Zgjedhor për rrëzimin e kërkesës së “Bashkë Fitojmë” për shkrimin e emrit të Sali Berishës si kryesues koalicionit në fletët e votimit për këshilla bashkiak, ku në një deklaratë për mediat tha se institucionet e drejtësisë po kthehen në roje të tekave të pushtetit.


Kaso tha se ‘me këtë vendim, togat e Kolegjit u thanë shqiptarëve se edhe të zotin e shtëpisë ta caktojnë ata, sipas dëshirës që shpreh qeveria’, ku shtoi se kryeministri Edi Rama kërkon të mbajë në dorë çdo siguresë të 14 majit.

“Bravat e pushtetit, që fërkojnë duart pas tij, dhe bëjnë llogaritë e zhbërjes së opozitës reale, do të përfundojnë në të njëjtën gropë ku i hedh populli dhe historia të gjithë të ngjashmit e tyre. Edhe 23 ditë le të veprojnë si çelësi-kopil i qeverisë”, tha ai.

Deklarata e plotë:

Kolegji Zgjedhor ka zgjedhur të veprojë si togë pushkatimi, jo trupë gjyqtarësh të Republikës, duke i hequr të drejtën opozitës që të caktojë drejtuesin e koalicionit në vendoret e 14 majit. Ankimimi që opozita i bëri vendimit të KAS u rrëzua, duke i kthyer institucionet e drejtësisë nga rojtarë të balancave, në roje të tekave të pushtetit. Ndërhyrja flagrante në të drejtën e një koalicioni zgjedhor dhe politik për të caktuar vetë, me vullnet të lirë, vendim të pjesëmarrësve dhe simbolikë politike, drejtuesin e fushatës, është vendim që jehon nga katakombet e viteve 45-48, kur gjykatat e Enver Hoxhës vranë me dekrete gjakatare çdo grimë të pluralizmit në vendin tonë. Kjo ndërhyrje në simbolikën politike, që është e drejtë ekskluzive e organizatave politike dhe nuk caktohet me gjykatë, dhe për më shumë nuk u përket gdhënjve të drejtësisë tonë, që gdhihen me urdhra të qeverisë e ngrysen me torba të ryshfetit poliitk, fyen edhe studentët e dobët të Jurisprudencës.

Edhe për drejtësinë tonë, që nuk ka turp kur bëhet vegël dhe vetëm si vegël e ngre çekanin për të marrë vendime, ky ishte një rekdord i zi. Me këtë vendim, togat e Kolegjit u thanë shqiptarëve se, edhe të zotin e shtëpisë ta caktojnë ata, sipas dëshirës që shpreh qeveria.
Ky vendim është politik dhe jo juridik, dhe si i tillë do të trajtohet.
Ky vendim është kundër pluralizmit dhe vetëm si i tillë do të kujtohet.
Ky vendim është vërtetim se ndarja e pushteve nuk ekziston dhe vetëm si i tillë do të regjistrohet.
Ky vendim është dëshmi se gjyqtarët e Republikës marrin urdhra, nuk bëjnë drejtësi.
Ky vendim, sa ç’tregon dorën e hakmarrjes së drejtësisë të varur nga qeveria, dëshmon edhe frikën që e ka kapur këtë të fundit. Ditën, Rama-Balla e Gjiknuri-Balluku dalin e thonë në media se fitojmë kaq e aq, dhe natën paguajnë vendime për të eleminuar kundërshtarin. Nëse janë kaq të fortë, pse investohen kaq fort, duke turpëruar pengjet e tyre në drejtësi, të cilët mund t’i përdornin për halle të tjera. Por, halli i tyre dihet: të mësuar duke fituar afrofe apo duke vjdhur vota me banda dhe resurse shtetërore, Edi Rama kërkon të mbajë në dorë çdo siguresë të 14 majit. Hiqet si trim, por vepron si frikacak.

Bravat e pushtetit, që fërkojnë duart pas tij, dhe bëjnë llogaritë e zhbërjes së opozitës reale, do të përfundojnë në të njëjtën gropë ku i hedh populli dhe historia të gjithë të ngjashmit e tyre. Edhe 23 ditë le të veprojnë si çelësi-kopil i qeverisë.
Më 14 maj, bandave që duan t’u caktojnë shqiptarëve edhe të zotin e shtëpisë duhet tu themi “ndal”.
Ndryshimi është në duart e tua!

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re