Stuhia “Eleanor”, e cila solli erëra, reshje dhe valë të mëdha, sot në gjithë Mbretërinë e Bashkuar shkaktoi ndërprerje të furnizimit me energji elektrike dhe probleme në komunikacion.
Instituti Meteorologjik njoftoi se shpejtësia e stuhisë e cila në disa vende ka arritur në 162 kilometra në orë pritet të ulet sot pasdite.
Instituti u bën thirrje Anglisë, Uellsit, Irlandës së Veriut dhe rajoneve jugore të Skocisë që “të jenë të gatshëm” për kushtet e vështira atmosferike ndërsa ka paralajmëruar për rrezikun nga përmbytjet në gjithë ishulin për shkak të reshjeve të dendura.
Për shkak të erërave dhe reshjeve të dendura, Instituti Meteorologjik ka dhënë alarm të verdhë dhe portokalli në shumë rajone.
Ky institut ka njoftuar popullatën se mund të ketë ndërprerje të transportit dhe energjisë elektrike, shembje të pemëve për shkak të stuhisë dhe se mund të ketë valë të mëdha dhe përmbytje, shkruan aa. Një person është plagosur si pasojë e rrëzimit të një peme në Uells, kurse 300 shtëpi në Uells dhe 6.000 të tjeaë në Irlandën e Veriut dhe në pjesën veriore të Anglisë kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të kushteve të këqija atmosferike.
Disa ura, të cilat përdoren në mënyrë intensive në shtet, si dhe autostrada M25, e cila rrethon Londrën është mbyllur për një kohë për trafikun për shkak të pemëve të shembura nëpër rrugë.
Në gjithë Anglinë janë bërë paralajmërime për përmbytje në 40 pika të ndryshme, kurse në Uells dhe Skoci në 10 pika. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos dalin nga shtëpitë e tyre dhe të mos udhëtojnë në rast se nuk është e nevojshme deri në normalizimin e kushteve atmosferike.
Më tej thuhet se ndikimi i stuhisë do të zvogëlohet nesër në mëngjes, por në ditët në vijim do të ketë të reshje të dendura të shiut. /KosovaPost/.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re