Përveç Bujar Leskajt, dhe Flamur Noka ka kundërshtuar vendimin e Lulzim Bashës për distancimin e Sali Berishës nga grupi parlametar i PD-së.
A2 CNN ka mësuar se deputetët në fjalë, gjatë mbledhjes së Kryesisë së Grupit të PD-së, kanë theksuar se ky vendim “na bën të mohojmë historinë e kësaj partie dhe është i gabuar”.
Ish-kryeministri Sali Berisha është përjashtuar nga grupi i Partisë Demokratike. Vendimi u publikua sot nga kreu i PD-së, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat.
Sipas tij, ky vendim bëhet “për të shmangur çdo keqkuptim deri në përfundim të kërkesës ligjore për transparencë”, pas shpalljes non grata nga DASH të Sali Berishës.
“Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë z. Berisha, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështje në rrugë gjyqësore, z. Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike”, tha Basha.
