Në regjistrimin e popullsisë në Mal të Zi deri më tani janë regjistruar 564.000 persona, që tregon një rënie në krahasim me regjistrimin e 12 viteve më parë, kur ishin 620.029, sipas të dhënave të fundit të censusit të zgjatur deri më 28 dhjetor.

Ndihmësdrejtoresha e Drejtorisë për Statistikat e Malit të Zi – Monstat Snezhana Remikoviç njoftoi të hënën se deri më 17 dhjetor janë numëruar 564.000 banorë dhe 308.000 banesa në 181.000 amvisëri.

Ajo nuk ka dashur të komentojë rezultatet e deritanishme të regjistrimit të popullsisë, të cilat tregojnë për rënie të numrit të popullsisë, por për Televizionin Vijesti tha se “rënia është e dukshme”, transmeton Beta.

Qeveria e Malit të Zi në fund të javës së kaluar e ka zgjatur regjistrimin edhe për dhjetë ditë, deri më 28 dhjetor.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Tranzicion Demokratik (CDT), Dragan Koprivica, paraprakisht ka vlerësuar se të dhënat për rënien e numrit të banorëve në Mal të Zi janë “shqetësuese” dhe tregojnë se vendi nuk ka pasur politikë demografike.

Të dhënat paraprake të regjistrimit duhet të dihen 30 ditë pas përfundimit të procesit, ndërsa të dhënat përfundimtare në gjashtë muaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re