VALENTINA MADANI

Kryeministri Edi Rama nisi dje nga Shkupi turin ballkanik në kuadër të vijmësisë së procesit të Berlinit, pas mbylljes së “Open Ballkan” i cili do të mbahet për herë të parë në Tiranë në tetor të këtij viti.

Pas Shkupit ku u prit nga homolgu maqedonas, Rama udhëton drejt Prishtinës ku takoi Presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e kuvendit Glauk Konjufca. Përpara nisjes së vizitave Rama bëri lëvizjen e fundit për të përmbushur kushtin që Albin Kurti i vendosi një ditë më parë, dorëzimin në ministrinë e jashtme në Kosovë të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga ana jonë.

Por as ky veprim nuk bindi Albin Kurtin për një takim me Edi Ramës. Pritësja e tij ishte Vjosa Osmani. Në përfundim të takimit, në një reagim në rrjetet sociale, Osmani zbuloi më shumë për temat që u diskutuan.

“Me Kryeministrin Edi Rama diskutuam sot proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit. Forcimi i mëtejmë i bashkëpunimit në mes të dy shteteve tona është në të mirë të qytetarëve tanë dhe në të mirë të së ardhmes sonë të përbashkët euroatlantike”, shprehet Osmani.

Por qëllimi i Ramës në Prishtinë ishte edhe takimi me kryeministrin Albin Kurti. Shpresa vdes e fundit për Edi Ramën, ndaj pak orë përpara se të mbërrinte në Prishtinë, nga Shkupi, ku nisi turin ballkanik i kujtoi Albin Kurtit që ende nuk ka konfirmuar takimin me të, atë çka thotë Kanuni kur dikush të vjen në shtëpi.

“Kam akoma shpresë që Albini nuk e ka harruar Kanunin që kur të vjen në shtëpi, edhe hasmit i hapet dera dhe është e ndaluar që ta nxjerrë jashtë”, – deklaroi Edi Rama.

Në një koment të shkurtër, e akuzon se po shkel mbi gjakun e luftës së Kosovës kur kërkon të ecet përpara në marrëdheniet me Serbinë, Rama këmbëngul në rëndësinë që ka kjo e fundit.

“Mendoj se është rruga më e gabuar të vazhdojmë të rrimë në të shkuarën, të akuzojmë njëri-tjetrin, grindemi me njëri-tjetrin se kush është patrioti i vërtetë”, – deklaroi Edi Rama.

E për t’i hequr Albin Kurtit çdo justifikim për të mos u takuar kokë më kokë, pas deklaratave të fundit të kryeministrit të Kosovës për rëndësinë që ka mbledhja e dy qeverive, dje i nisi të firmosura 13 marrëveshjet që do të duhet të ishin nënshkruar në 14 Qershor në Gjakovë.

“Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite”, – u shpreh Edi Rama.

Me turin e ndërmarrë në 5 vendet e Ballkanit Perëndimor, qëllimi është fokusimi i plotë i të 6 vendeve të rajonit tek Procesit i Berlinit, ndaj disa herë e cilësoi të përmbushur misionin e Ballkanit të Hapur që ishte sipas tij, t’i jepte vëmendje për më shumë shtysë liderëve europianë që e iniciuan në 2014.

“Nuk dua fare që në këtë proces për organizmin e Samitit të Berlinit dhe për domosdoshmërinë që të gjithë së bashku të futemi nën ombrellën e Procesit të Berlinit, dëshiroj që Ballkanin e Hapur ta lëmë mënjanë”, – theksoi kryeministri Edi Rama. Por Dimitar Kovaçevski, që e priti me nderime, nuk e mendon kështu.

Ndryshe nga Rama, ai thotë se “Ballkani i Hapur” duhet të vazhdojë sepse nuk e ka përmbushur misionin.

“Historia me Ballkanin e Hapur nuk ka përfunduar. Ballkani i Hapur nuk e ka kyer misionin e vet”, – theksoi Kovaçevski.

Rama gjithmonë kritik me mbështetjen financiare të BE-së për rajonin, duket se tashmë është i kënaqur me planin qe ka prezantuar Presidentja e Komisionit dhe lajmëron se shumë shpejt në Tiranë me praninë edhe të përfaqësuesve të Unionit, do të ketë një takim informal për këtë plan, ku fton të vijnë të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor.

Turi i kryeministrit do të vijojë sot paradite në Bosnje dhe Hercegovinë ku do të takohet me kryetaren e Këshillit të Ministrave, Borjana Kristo për të vijuar në Mal të Zi ku do të pritet nga kryeministri Dritan Abazoviç dhe Presidenti Jakov Milatoviç.

Kryeministri do ta përmbyllë turin ballkanik me vizitën në Serbi ku do të takohet me Presidentin Aleksandër Vuçiç. Edhe me presidentin serb ky do të jetë takimi i parë i kryeministrit Rama që pas ndezjes së tensioneve në veri të Kosovës, por edhe përmbylljes së Ballkanit të Hapur për të cilin Rama deklaroi se e ka kryer misionin e tij.

Kurti refuzoi Ramën, Konjufca: Vendimi i tij, të respektohet!

Kryeparlamentari Glauk Konjufca priti dje kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Pas takimit gjatë një prononcimi për gazetarët ai kërkoi që të respektohet vendimi i Albin Kurtit për të mos u takuar me homologun shqiptar.

Ai deklaroi se refuzimi nga ana e Kurtit për takimin me të duhet respektuar pasi ka qenë mbledhja e dy qeverive ajo çka dëmtoi marrëdhënien mes dy vendeve.

“Unë ja shpjegova që jemi vendosur në këtë pozitë para dëshirës sonë. Serbia na ka vënë para këtyre opsioneve. Ne nuk kemi probleme shtetërore me Shqipërinë. Problemi ka ardhur nga ana e Shqipërisë sepse pa arsye madhore anuloi mbledhjen e shumëpritur të qytetareve të Kosovës. Nuk është acarim i raporteve aq sa mos të takohen fare. Unë do e kisha përdorur shprehjen lëndim, ne u lënduam nga anulimi i mbledhjes së dy qeverive, po jo aq sa mos ta presim Ramën. Kur ne jemi në të drejtën tonë dhe kur nuk na kupton as Shqipëria. Me këtë Kosova vetëm mund të dëmtohet. Rama ka ndarë elementët e asociacionit por ai pretendon se është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Për mua më është dukur se aty ka një autonomi të serbëve në veri”, u shpreh ai.

Pyetjes nëse është kosnultuar me Kurtin për takimin me Ramës, Konjufca u shpreh: “Asgjë nuk ndodh pa konsultimet me Kurtin. Refuzimi i Kurtit, ka qenë ide e tij dhe duhet respektuar. Marrëveshjet janë nënshkruar dhe ishte dëm i madh që nuk u bë në mbledhjen e qeverive. Ramën e pritën krerët më të lartë shtetërore, nëse do të ishim kundër tij nuk do e takonim.

Kërkuam që ta ketë sensin tonë të situatës, Kosovës do e ndihmonte që të kishte përputhshmëri në relacion me çfarë përjetojmë ne nga Serbia. Nëse ne pajtohemi me idenë sesi është qasja e Serbisë ndaj nesh, nëse kemi dallime ne nuk i jemi duke i shërbyer qytetarëve të vendit tonë”.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re