Edhe mësuesit bullizohen e dhunohen, madje kjo tregohet me mburrje mes nxënësve. Sipas sociologëve, autoriteti i shkollës në shoqëri ka rënë ndjeshëm dhe pikërisht këtu gjendet zanafilla e shumë problemeve.

 

ENTELA BINJAKU

SOCIOLOGE

 

“Rasti i Lezhës mori mediatizim dhe sigurisht ne shpesh dëgjojmë kur vetë nxënësit pohojnë me mburrje apo ironi se si ia kanë punuar mësuesit. Dhe kur shoqëria reagon duke qeshur e shikon si argëtim këtë, tregon se nuk ka pjekurinë e duhur. Nëse sot kemi një rënie të edukatës në nivele të përgjithëshme kjo ka ndodhur për shkak të rënies së autoritetit të shkollës.”

 

Sociologia Entela Binjaku po ashtu vëren se në vitet e fundit, qasja dhe vlerësimi që shoqëria ka për figurën e mësuesit, ka pësuar një ndryshim të konsiderueshëm.

 

“Shoqëria jonë ka vuajtur për arsim, kemi qënë të dëshiruar për arsimin prandaj edhe ku ka patur një mësues ka qënë një model. Ka ndodhur kjo përthyerje veçanërisht vitet e fundit me lëvizjet e popullatës, padrejtesitë apo mungesa e meritokracisë ka bërë pjesë të sistemit individë që nuk kanë potencialin e duhur për të qënë arsimtarë. Në vend qe të jenë model ata janë kthyer në të kundërtën.”

 

Problematikat e reja që sfidojnë sistemin arsimor, sikurse janë varësia nga narkotikët që shfaqin të rinjtë, sjelljet e dhunshme apo politikat joefektive që janë ndjekur, shtojnë edhe më shumë nevojën që të fuqizohet roli i shkollës dhe mësuesit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re