I ngarkuari me Punë i Ambasadës së SHBA në Tiranë, David Wisner është ndalur edhe tek situata e tensionuar në Parlamentin e Shqipërisë, i cili prej dy muajsh është futur në ngërç, pasi opozita nuk lejon zhvillimin normal të punimeve nëse nuk plotësohen kërkesat e saj.

Në një intervistë për gazetën “Panorama” , diplomati i lartë u shpreh se Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimin për ngjarjet e zhvilluara në seancat parlamentare.

Sipas tij edhe në Kongresin Amerikan zhvillohen debatë të ashpra në lidhje me hetimet parlamentare, por theksoi se ndonjëherë këto hetimi sjellin përparim politik.

LEXO EDHE: Ekskluzive/ “Krenarë që mbështesim SPAK, po i vjen fundi pandëshkueshmërisë”- David Wisner: Sanksionet ‘non grata’ për të korruptuarit do të vazhdojnë

“Panorama”: Parlamenti është prej dy muajsh në ngërç, pasi opozita pretendon se i janë shkelur të drejtat kushtetuese me refuzimin e komisioneve hetimore. Thirrjes tuaj për dialog, shumica iu përgjigj me hartimin e një projektligji që, sipas ekspertëve, e kufizon të drejtën e opozitës për të ngritur komisione hetimore. Cili është qëndrimi juaj për këtë?

I ngarkuari me punë Wisner: Siç e kemi pohuar më parë, një opozitë energjike është thelbësore në çdo demokraci të shëndetshme. Thënë kjo, Shtetet e Bashkuara dhe shumë nga partnerët tanë, përfshi Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Italinë dhe BE-në, kemi shprehur shqetësim për ngjarjet që janë zhvilluar në Parlament gjatë muajve të fundit.

Sigurisht që mund të ketë mosmarrëveshje për politikat, por ka nevojë për dialog konstruktiv, debat me respekt, si dhe pranimi se zyrtarët e zgjedhur nga çdo parti politike punojnë për njerëzit, për t’u shërbyer qytetarëve shqiptarë, si dhe për ta çuar Shqipërinë përpara në rrugën e saj euro-atlantike.

Edhe Kongresi ynë ka debate shumë energjike dhe ndonjëherë plot kundërshti, përfshi edhe nëpërmjet komisioneve tona hetimore. Hetimet tona, në shumë raste, kanë çuar në përparim të rëndësishëm politik dhe të politikave. Si parim i përgjithshëm, mekanizmat legjislative marrin kohë dhe janë të vështira, por një gamë mjetesh janë me rëndësi për të siguruar që demokracitë t’i debatojnë zhvillimet.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re