Kritikat e bashkësisë ndërkombëtare për ngecje të reformave në gjyqësor, vonesat në gjykimin e lëndëve të Prokurorisë Speciale, politizimi i gjykatave, rastet korruptive në mesin e gjyqtarëve e prokurorëve, kanë bërë që edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut të inicioj procesin e “vetting-ut”.

Nga Ministria e Drejtësisë, thonë se për këtë çështje do të diskutojnë edhe me përfaqësues ndërkombëtarë, ndërkohë që nga Komisioni Anti-korrupsion kanë kërkuar që të verifikojë listat anketuese të të gjithë punonjësve në gjyqësor.

Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska tha se pritet që Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit të nisë një procedurë serioze për kontrollin e listave anketuese të gjyqtarëve dhe në këtë mënyrë të shfrytëzohen të gjitha mundësitë ligjore për procesin e vetting-ut të gjyqtarëve, pra verifikimin e pasurisë së tyre.

Reagimi i Ministrisë së Drejtësisë vjen në veçanti pasi ish kryeministri Nikolla Gruevski, u lirua nga ndjekja për një vepër penale për shkak të vjetërsimit të lëndës dhe zvarritjes së procesit gjyqësor.

Gjykatësit thonë se nuk janë kundër procesit të verifikimit të tyre, pasi siç thonë, me këtë do të eliminohen të gjithë dyshimet mbi punën e tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re