Edi Paloka deklaron se do jetë pjesë e kabinetit të Lulzim Bashës. Për herë të parë pas 30 viteve karrierë në politikë ai jo vetëm aspiron por edhe pranon se do jetë pjesë e qeverisë.

I ftuar në emisionin “Dekalog” në RTSH 24 të gazetarit Roland Qafoku, Paloka tha se tashmë është i përgatitur që të jetë pjesë e kabinetit në një fitore që ai e quan të padiskutueshme të Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. “Unë kam zgjedhur vetë që në karrierën time t’i bëjë gjërat ngadalë dhe me hapa. Tashmë pas 30 viteve mund të them se jam i gatshëm që të jem pjesë e kabinetit.

Megjithatë këtë e di kryetari Lulzim Basha dhe ai e çmon nëse duhet të jem apo jo”, tha Paloka. Edi Paloka është nënkryetar i Partisë Demokratike që nga vitit 2017. Ai është zgjedhur pesë herë deputet në kuvend në zgjedhjet e vitit 2001, 2005, 2009, 2013, 2017 dhe më shumë gjasa do jetë deputet edhe për herë të gjashtë në zgjedhjet e 25 prillit. Kujtojmë se tre herë Paloka ëhstë zgejdhur deputet në systemin mazhoritar.

Në emisionin “Dekalog”, Paloka zbuloi se është diplomuar në vitin 1990 si inxhinier gjeolog por nuk e ushtroi këtë profesion sepse u bë pjesë e gazetarisë dhe e politikës. Ai ka qenë një nga themeluesit e gazetës “Rilindja Demokraktike” në janar 1991, gazeta e parë opozitare në vend. Ndërkohë, i pyetur nga gazetari Roland Qafoku nëse ishte penduar që I kishte hedhur bojë në fytyrë kryeministrit Edi Rama, Paloka tha se kurrë nuk ishte penduar për atë që bëri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re