Një gjë të parëndësishme e ka quajtur Edi Rama përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së, duke u prezantuar me një lëkurë të re përpara gazetarëve, atë të një kryeministri që shqetësohet për njerëzit, dhe do të jetë aty për t’iu shërbyer atyre.
Rama premtoi se do të shmangë konfliktet dhe me njerëzit e medias, dhe në rast se ato do të ndodhin do të jenë vetëm për faj të këtyre të fundit, që nuk bëjnë pyetjet e duhura.
I pyetur me insistim nga gazetarët nëse ndihej i lumtur apo i trishtuar për vendimin e Bashës, Rama tha se këto emocione janë shumë të mëdhaja për tu përjetuar në aspektin politik.
Rama:
Ju uroj punë të mbarë dhe të frytshme si shërbëtorë të publikut, unë do të angazhohem personalisht që të kemi sa më shumë energji të shpenzuara për njerëzit, për problemet e tyre reale, dhe sa më pak energji për atë që politika ka bërë fatkeqësisht në shumë e shumë vite, duke u bërë një pronë e politikanëve që e kanë abuzuar vijimësisht për qëllime interesa dhe ambicie që mund të jenë dhe të natyrshme.
PS e ka marrë një mandat të tretë për ta çuar Shqipërinë në një nivel tjetër, PS sot është në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm të rrugëtimin të saj, duhet të ndjejë në çdo qelizë që të çojë Shqipërinë në nivel tjetër, dhe sa pak e rëndësishme janë këto të tjerat.
Unë jam shumë i përgatitur që të jem në lartësinë e fjalëve duke dhënë shembullin i pari dhe duke u përmirësuar cdo ditë edhe në raport me ju. Jam i vetëdijshëm se pa dashje dhe kam kaluar kufirin kam krijuar shqetësime për ju. Do bëj cmos që marrëdhëniet tona të jenë fantastike dhe unë të jem në dispozicionin tuaj sa më i urtë dhe i butë. Nëse kjo nuk ndodh atëherë do jetë gabimi im.
E kuptoni sesa e madhe është sfida jonë? PS e ka të pamundur të shikojë nga lart poshtë sic po ndodh në ktë moment, ne jemi lart jemi shumë përpara.
Trishtimet dhe gëzimet janë evenimente shumë të rëndësishem për ti shpërdoruar për cështje të natyrës politike dhe aq më tepër në një kamp tjetër. Më shfrytëzoni për t’më pyetur për çështje që janë me interes për popullin dhe që mund të bëjnë dicka për të zgjidhur hallet e popullit.
Kuvendi nisi sot seancën e parë parlamentare të legjislaturës së re ku do të bëhet dhe verifikimi i mandateve të deputetëve. Pasditen e sotme do të ketë një seancë të dytë ku do të bëhet edhe betimi i tyre, ndërkohë që zhvillime të vrullshme janë duke ndodhur në kampin e opozitës e më konkretisht në selinë e PD.
Pas përjashtimit të Berishës nga Basha, ish-lideri historik i demokratëve ka paralajmëruar një lëvizje të re kundër asaj që ai e quan një lëvizje të fëlliqur Rama-Basha. Vetë kreu i PD nuk ka bërë asnjë koment gjatë ditës së sotme për Berishën dhe ka thënë se i vetmi armik politik i tij është Edi Rama.
Bashkë me Berishën u pozicionuan dhe tre deputetë të zgjedhur nga PD Edi Paloka, Flamur Noka dhe Tritan Shehu.
(E.K/Faxweb.al)
…
/faxweb
