Një dorë e shtrirë për dialog dhe bashkëpunim, por me dy kushte! Është kjo ajo që i ka ofruar kryeministri Edi Rama opozitës në Kuvend, të cilët i ftoi në dialog të vazhdueshëm për gjithçka.

Dy kushtet e vendosura nga Rama ishin ato për dhënien fund të ultimatumeve nga ana e opozitës, dhe negociatorët e huaj për problemet politike në vend. Rama tha se për të zgjidhur problemet politike mes palëve në vend, nuk ka nevojë për persona që flasin në gjuhë të huaj.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Të polemizosh qeverinë është normale por të grisësh fletët e votimit nuk është normale, në fund është populli dhe shumica ai që vendos. Shumë sherr dhe shamata mes nesh, për të mos dalë gjëkundi, shumë kohë dhe mundësi të humbura për të bërë më të mirën për fëmijët tanë, kur dalim nga këtu jemi tamam si kalamaj, që i hedhim fajin njëri tjetrit.

Unë sot nuk dua të drejtoj gishtin te pala tjetër, dora jonë është e shtrirë ndaj PD, është një vijë mendimi që ne do të bëjmë të pamundurën ta bëjmë një vijë sjellje. Ne nuk duam asnjë lëshim nga ju, nuk na duhet asnjë votë e juaja, jemi gati të merremi vesh me ju, për gjithçka që ju dëshironi, në të mirë të vendit.

Mbani diçka parasuysh, me urdhëra me kërcënime, me ultimatume me ne nuk keni arritur asgjë, dhe nuk do të arrini. Nëse durojmë njëri tjetrin me durim ne do të merremi vesh me shumëçka. Ne si shumicë nuk do të pranojmë asnjë ndërmjetësues të huaj për të na zgjidhur problemet.

Gjatë seancës së kësaj të enjteje në Kuvend, kryeministri Edi Rama po prezanton programin e qeverisë për 4 vitet e ardhshme, ku tha se përballimi i pasojave të pandemisë dhe tërmetit do të jenë dy prioritetet absolute të qeverisë. (Lexo lajmin)

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re