Skip to content

Edicioni i “Balfin Retail Forum”/ Diskutohen sfidat e shitjeve me pakicë dhe shërbimi ndaj klientit

U zhvillua në Tiranë edicioni i tretë i Balfin Retail Forum, një organizim i kthyer në traditë, që mbledh ekspertë ndërkombëtarë të fushës së shitjeve me pakicë. Pjesë e tij u bënë edhe rreth 200 profesionistë të sektorit nga kompanitë e Grupit BALFIN në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Bosnje dhe Herzegovinë.

 

Forumi u përshëndet nga Zv. Presidenti i Retail-it në BALFIN Group, Julian Mane, i cili foli për arritjet dhe planet e bizneseve në sektorin e shitjeve me pakicë.

 

JULIAN MANE

Zv.PRESIDENTI I RETAIL NË BALFIN GROUP

 

“Të gjitha këto kompani të Grupit tonë kanë një gjë të përbashkët: u shërbejnë mijëra klientëve çdo ditë dhe shërbimi i klientit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne. Për këtë arsye, kemi kthyer në traditë Balfin Retail Forum, për të marrë përgjigje në lidhje me të gjitha pyetjet që lindin nga synimi ynë për t’u përmirësuar.”

 

“The Road Ahead” – “Rruga Përpara” ishte tematika e forumit, e cila ilustronte edhe çështjet e ngritura nga ekspertët, duke filluar me një studim mbi tregun global të shitjeve me pakicë nga konsulenti i mirënjohur “Deloitte Albania”.

 

Forumi u konceptua si një event interaktiv me pyetje dhe përgjigje pas çdo prezantimi, që përfshiu aktorë dhe perspektiva të ndryshme të sektorit. Përpos ekspertëve, panelistë të temave ishin edhe përfaqësues të lartë të Grupit.

 

BALFIN nisi aktivitetin e tij 30 vite më parë pikërisht në sektorin e shitjeve me pakicë të pajisjeve elektroshtëpiake, aktiviteti i së cilit i shërben sot 80,000 klientëve. Për të tretin vit radhazi, Balfin Retail Forum zhvillohet si pjesë e përpjekjeve të Grupit për të forcuar rolin udhëheqës në industri.