Një grup artistësh kanë shkuar ditën e sotme në Ballsh, ku kanë vizituar dhe parë nga afër gjendjen e naftëtareve, që vijojnë prej 15 ditësh në grevë urie.

Duke folur për media, regjisori Edmond Budina i bëri thirrje qeverisë të zgjidhë sa më shpejt hallin e naftëtarëve, pasi sipas tij, edhe artistët e shumë njerëz të tjerë do t’i bashkohen kësaj greve.

“Qeveria të mos qajë hallet e popullit, por t’i zgjidhë ato. Ky është një hall shumë i madh, këto nëna po sakrifikojnë jetën e tyre për një kafshatë bukë.

Nëse qeveri nuk e zgjidh këtë hall, këtu do të ngujohen edhe njerëz të tjerë. Nuk bëhet tallava dhe shaka me jetën e njerëzve.

Ne do t’i mbështesim këta njerëz si qytetarë të këtij vendi, që na dhemb shpirti. Kam bërë 20 vite në Itali dhe e di çdo të thotë të punosh, e të mos paguhesh, të të shfrytëzojnë.

Nëse do të ishin politikanë të ndershëm, do t’i paguanin këta njerëz me xhepat e tyre. Paratë e tyre duhet t’i paguanin një më një.

Qeveria duhet të zgjidhë sa më shpejt hallin e tyre. Këto gra nuk do të jenë vetëm.

Nëse shumë shpejt nuk zgjidhet halli i këtyre grave, këtu shumë shpejt do të hyjnë në grevë edhe shumë të tjerë, madje edhe ne mund të hyjmë në grevë urie”, u shpreh Budina.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re