SPAK futi në “rrjetën” e hetimit Eduart Kaprin, kryebashkiakun e djathtë të Pogradecit, i zgjedhur në zgjedhjet lokale të vitit 2015.

Në zgjedhjet lokale, PD fitoi bashkinë e Pogradecit, pas shumë e shumë vitesh, duke e thyer qytetin bastion të socialistëve që prej disa mandatesh drejtohej nga Artan Shkëmbi.

Përballë tij në zgjedhjet lokale ishte Diana Mile, një kandidate propozuar nga LSI-ja, e cila u paraqit si pjesë e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, ku bënin pjesë Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

Por edhe pse ishte një kandidaturë e përbashkët, mes LSI-së dhe PS-së kishte një konflikt për këtë emër të sjellë nga Tirana, një grua që edhe pse kishte rrënjët nga Pogradeci u sulmua si nga PS-ja, por edhe nga vetë LSI-ja.

Të shumtë ishin njerëzit brenda LSI-së që e luftonin pasi ishin të zhgënjyer që nuk u vendosën ata si kandidatë për kryetar bashkie.  Kapri mori 17,647, ndërsa  Mile 16,024, duke marrë bashkinë për më shumë se 1600 vota.

Partia Demokratike krenohej me këtë fakt se tashmë bashkia e Pogradecit do të drejtohej nga demokratët, por që pas katër vitesh opozita hoqi dorë nga zgjedhjet lokale i bojkotoi. Pikërisht në kuadër të aksionit opozitar, bashkia e drejtuar nga të djathtët u organizua në pengimin e procesit të zgjedhjeve lokale, duke bllokuar shkollat e çerdhet ku ishin parashikuara të ktheheshin në qendra votimi.

“Nga hetimi ka rezultuar e provuar se nga ana e shtetasit Eduart Kapri, me cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Pogradec, në bashkëpunim me shtetasit Safet Blaceri dhe Gurali Blaceri, me detyrë mirëmbajtës në Qendrën Arsimore, Pogradec, janë bërë tentativa për të penguar procesin zgjedhor që do të zhvillohej në datë 30.6.2019. Në kushtet kur nuk ka pasur asnjë kërkesë për sigurinë e tyre, janë kryer veprime konkrete për mbylljen e këtyre institucioneve”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Në zgjedhjet parlamentare, Kapri u përfol se do të ishte një prej kandidatëve për deputetë, por që baza e demokratëve doli kundër përfshirjes në listat për deputetë për qarkun e Korçës.

Ai i duhet të përballet edhe me akuzat për tentativën e prishjes së zgjedhjeve, por edhe për tenderin e dyshimtë të realizuar për blerjen e druve. (shqip)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re