Qendra Kombëtare e Kinematografisë do të drejtohet nga regjisori Eduart Makri. Me gjithë “sukseset” e Butkës, Makri shihej si kandidati potencial për të marrë drejtimin e QKK. Për postin e QKK nga Ministra e Kulturës iu propozuan kryeministrit dy emra, Ilir Butka dhe Eduart Makri. Me vendim të kryeministrit Edi Rama kandidatura e tij përballë ish kryetarit të qendrës së filmit Ilir Butka është shpallur fitues. Emërimi i Makrit në këtë post mund të ketë lidhje me miqësinë e tij të hershme me kryeministrin, qe ne fund te viteve 80-te, pasi ka qenë Makri ai që e ka angazhuar ish-gruan e tij si aktore kryesore në filmin e tij “Shpresa”.

 

Regjisori Eduart Makri ka lindur në 5 qershor të vitit 1957 në qytetin e Gjirokastrës. Pas përfundimit të studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) në degën e Aktrimit fillon punën në Kinostudion “Shqipëria e Re” si regjisor dhe skenarist. Në vitin 1993 fillon punën si pedagog në Akademinë e Arteve. Në kinematografi roli i tij i parë si aktor do të jetë ai i Vasos në filmin “Vëllezër dhe shokë” në vitin 1980. Më tej do të vazhdonin interpretime të tjera si ai në rolin e Aristotelit në filmin televiziv “Agimet e Stinës së Madhe”, Gjergji në filmin “Besa e kuqe”, Andrea në filmin “Në emër të lirisë”, Pirro në filmin “Shpresa”etj.

 

Në regjisurë pjesëmarrja e tij e parë do të jetë si as/regjisor i dytë në filmin “Plaku dhe hasmi” në vitin 1981, duke realizuar gjithsej 11 regji si asistent regjisor në po kaq filma duke bashkëpunuar me regjisorë të njohur si Gëzim Erebara (Artist i Merituar), Hysen Hakani, Kujtim Çashku (Artist i Merituar), Xhanfize Keko (Artiste e Popullit) etj. Si regjisor, filmi i parë i drejtuar plotësisht prej tij do të jetë filmi “Shpresa” në vitin 1989 e ndjekur në “Shpella e Piratëve” 1991.

Me vendosjen e tij në qytetin e Torontos (Kanada) ai do të vazhdojë profesionin e tij. Ndërkaq që Ilir Butka i cili drejtoi QKK për disa vite përmes nj statusi në rrjetin social ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur në punën e tij. “Të dashur miq, ju njoftoj se nga sot nuk do të jem në drejtimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. I uroj kryetarit të ri punë të mbarë dhe suksese.

Falenderoj të gjithë ata që ndanë me mua këtë rrugëtim të përbashkët gjatë këtyre viteve, duke filluar nga stafi i qendrës dhe bashkëpunëtorët e afërt të cilët i falenderoj veçanërisht për mbështetjen dhe punën e kryer. Falenderoj anëtarët e KMP që mbështetën politikën e QKK dhe ndanë me mua impenjimin për zgjedhjen e projekteve më të mira. Falenderoj kineastët, që i dhanë vlerë punës time me krijimet tyre duke veçuar sidomos ata që na dhuruan suksese ndërkombëtare që na mbushën me optimizëm dhe motivim në punën tonë”, shkruan Butka në statusin e tij.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re