Tre ditë më parë, një fëmijë vetëm 3 vjeç, gjeti vdekjen në një kopsht privat në qytetin e Fierit. Rrethanat e humbjes së jetës së të miturit mbeten ende të paqarta, ndërsa familjarët e vogëlushit u mblodhën këtë të hënë para prokurorisë së Fierit, me një kërkesë të vetme, zbardhjen e të vërtetës e vënien para drejtësisë të përgjegjësve

Mes lotëve e dhimbjes, nëna e 3 vjeçarit foli për median duke treguar se e hedh poshtë pretendimin se i biri është mbytur aksidentalisht nga rrobat, ngecur në një varëse në kopsht. Ajo tregoi se edukatorja e ka gënjyer, duke i thënë fillimisht se i biri ishte mbytur, por ishte mirë me shëndet.

Na kanë gënjyer. Presidenti i kopshtit ka ardhur tek shtëpia e më ka thënë se do ta nxjerr unë të vërtetën. Ka thënë që ka kamera kopshti në çdo cep e gënjeu e mashtroi. Vendi ku thotë ai që është vrarë çuni, nuk ka mundësi në botë të jetë vrarë çuni. Ato kapëse të ngelin në dorë. Si mundet të vritet një fëmijët 15 kile tek ato kapëset. Kopshti sot është i hapur, kaq njeri pashpirt qenka ai kriminel…

I kam kërkuar Presidentit të më binte të gjitha mësueset, të më tregonin rastin, opsionet e tyre sesi ishin e ku ma gjetën çunin. Njërn ma bëri me temperaturë të lartë, njërën tha më bëri bllok në telefon, një mashtrues që unë dua që ai të marri dënimin, unë dua drejtësi për djalin tim…

Edukatorja më ka gënjyer. Të parën më mori mua e më tha është mbytur me litarin e bluzës dhe është në gjendje të mirë, është përmendur. Në momentin që unë kam vajtur në spital, më ka thënë që është futur në sallë të operimit, në momentin që unë them përse, doktori vjen e më thotë fëmija ka ardhur pa jetë këtu, kështuqë mos prit më...”-tha mes lotëve e dhimbjes nëna e 3 vjeçarit.

Daja i vogëlushit, ishte po ashtu i pranishëm. Ditën e ngjarjes ai foli për median duke treguar se doktori që kishte tentuar të rianimonte fëmijën, i kishte thënë se 3 vjeçari kishte ardhur në spital pa shenja jete. Këtë të hënë ai u shpreh se kanë ardhur paqësisht para autoriteteve dhe kërkojnë vetëm zbardhjen e të vërtetës e vënien para drejtësisë së përgjegjësve.

“Jemi drejtuar para prokurorisë së Fierit për një hall që mos i ndodhtë askujt, asnjë prindi. Mos e paftë këtë hall që na ka rënë. Kemi çuar fëmijën në çerdhe si të gjithë fëmijët e tjerë dhe na vjen lajmi që na ishte mbytur. Gjoja ishte mbytur vetë. Dua që ju mediat të shkoni ta kontrolloni, në një vend 60 pont lartësia, kur ne fëmijën e kemi mbi 80 pont. Të tërë që jeni ju këtu nëse do e shikoni po ka mundësi që fëmija të jetë mbytur vetë atje, unë në emër të Zotit do jem i pari që do t’ju kërkoj falje.

Ata thonë se fëmija është mbytur aty, në një kapëse alumini që sa ta kapësh me dorë këputet.Vajtëm e pamë dje vendin. Vajtëm si njerëz dhe u kënaqëm shumë se na thanë do të shikoni realitetin. Kur e pamë atë lartësi, jemi shokuar të gjithë…

Është një fëmijë vetëm 3 vjeçar… të paktën të na kishin hapur derën (prokurorët). Ne nuk kemi ardhur këtu për vrasje, do t’i merrnim vetëm një minutë kohë prokurorit. Ne nuk jemi dakord me përgjigjen që na kanë dhënë hetuesit. Zoti prokuror kuptohet që ai është komplet në anën tjetër. Ne nuk po kërkojmë të vrasim njeri, ne kërkojmë vetëm zbardhjen e të vërtetës. Neve nuk na kthehet fëmija, na jepni, na tregoni çfarë ka ndodhur.”-tha ai.

Kujtojmë se një ditë pas ngjarjes së rëndë, autoritetet vunë në pranga një prej edukatoreve të kopshtit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re