Skip to content

“Edukimi nis nga familja”- Analisti Lubonja për rastin e vrasjes së 14-vjeçarit: Fëmijët po ndikohen nga modelet e krimit, kjo është shqetësuese

Analisti Fatos Lubonja ka komentuar rastin e vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani në Tiranë, të cilit iu mor jeta nga një bashkëmoshatar që e goditi me thikë.

Lubonja, në rubrikën ‘Opinion’ në News24, tha se jetojmë në një shoqëri ku dhuna bën lajm dhe ku fëmijët ndikohen nga modelet e krimit. Kjo është shqetësuese, theksoi ai.

“Vrasje kishte dje, pardje, sot dhe kjo tregon se jemi një shoqëri ku dhuna bën lajm. Edhe në Itali ku jetoj unë ka vrasje, por përditë jo. Shqetësues është fakti se fëmijët ndikohen nga modelet e krimit. Kemi njerëz që bëhen të pasur përmes krimit, që prodhon dhunë. Atëherë këta fëmijët që presin të bëhen të rritur dhe shikojnë se si pasurohen këto modelet e krimit, rrjedhimisht që krijon probleme”, tha Lubonja.

Ndër të tjera analisti tha se edukimi nis nga famija ndërsa arsimimi në shkolla.

“Edukimi nis nga familja, por arsimimi është në shkolla. Tani duhet parë institucioni i familjes, sepse në jo pak raste ato që ne i quajmë biznesmenë duhen parë si e kanë bërë pasurinë e tyre, sepse mund të jenë kriminelë, që shfaqen si biznesmenë. Po të shkosh në qytete normale ka fusha sporti, parqe, sepse fëmijët kanë energji, ku do e shkarkojnë energjinë që kanë? Nëse këto fëmijë se kanë mundësi të shkojnë në një fushë futbolli apo basketbolli, atëherë diku do e shkarkojnë energjinë, duhet parë edhe në këtë aspekt”, tha Lubonja.

I pyetur nga gazetarja Nisida Tufa se sa ndikojnë rrjetet sociale te fëmijët, Lubonja tha se teknologjia ka prodhuar shumë probleme, por edhe një celular varet si e përdor.

Duke folur për sigurinë, ai u shpreh: “Kur kriminelët kandidojnë dhe bëhen kryetar bashkie, pse një kriminel mos bëhet shef policie? Këtu flitet për bisedat në SKY ECC, aty dalin lidhjet. Të gjitha këto të japin perceptimin e një shteti ku krimi, shoqëria dhe shteti nuk ndahen dot. Krimi është poshtë, shteti është lart, por këtu krimi është bashkë me shoqërinë, politikën, administratën, qeverinë, opozitën. Kjo po i detyron edhe shqiptarët të largohen nga vendi”.

“”