Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka kërkuar nga Papa Françesku të mbështesë sanksionet kundër Izraelit, duke thënë se palestinezët do të vazhdojnë të masakrohen derisa bashkësia ndërkombëtare të dënojë Izraelin.

“Nëse bashkësia ndërkombëtare nuk sanksionon Izraelin, i cili po bën një krim kundër njerëzimit, palestinezët do të vazhdojnë të masakrohen”, tha Erdogan.

Erdogan ka qenë në bisedime me udhëheqësit dhe personalitetet e huaja për disa ditë në një përpjekje për të ndaluar një ofensivë të madhe izraelite në Rripin e Gazës. Sipas presidencës turke, Erdogan tha se “pushtuesi izraelit, i cili po bllokon hyrjen në xhaminë al-Aqsa dhe Kishë e Varrit të Shenjtë (në Jeruzalemin Lindor), po vret civilë të pafajshëm në tokën palestineze”.

“Ky barbarizëm kërcënon gjithashtu sigurinë rajonale,” vuri në dukje ai.

Të dielën, Papa paralajmëroi për një “spirale vdekjeje dhe shkatërrimi” në konfliktet në Lindjen e Mesme, duke vlerësuar se humbjet e jetëve të pafajshme janë “të tmerrshme dhe të papranueshme”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re