Një gjykatë egjiptiane ka dënuar ish-kandidatin presidencial Abdel Moneim Aboul Fotouh, si dhe disda figura të shquara nga Vëllazëria Myslimane e ndaluar, nën akuza për “përhapje të lajmeve të rreme” dhe komplot për të përmbysur shtetin, raportuan AFP dhe Reuters.

Aboul Fotouh, 70 vjeç, i cili vuan nga disa probleme shëndetësore, sipas familjes së tij, u dënua me 15 vjet burg në apel, sipas një vendimi të gjykatës të dielën.

Ndërsa Mohamed el-Kassas, nënkryetari i partisë Për Egjiptin e Fortë, u dënua me 10 vjet burg.

Ish-udhëheqësi suprem i Vëllazërisë, Mahmoud Ezzat, i cili tashmë po vuan dënime të shumta të përjetshme për akuza të tjera, u dënua gjithashtu me 15 vjet burg.

Grupet e të drejtave të njeriut kanë kritikuar vazhdimisht vendime të tilla masive në Egjipt dhe u kanë bërë thirrje autoriteteve të sigurojnë gjykime të drejta.

Grupet, duke përfshirë Human Rights Watch dhe Amnesty International, thonë se arrestimet dhe gjyqet si ato ndaj Aboul Fotouh dhe al-Kassas janë pjesë e një goditjeje të qeverisë ndaj disidencës që ka shënjestruar jo vetëm kundërshtarët politikë muslimanë, por edhe aktivistët pro-demokracisë, gazetarët dhe kritikët në rrjete.

Aboul Fotouh është një ish-udhëheqës i lartë i Vëllazërisë, i cili u përjashtua nga grupi në vitin 2011 kur vendosi të kandidojë në zgjedhjet presidenciale në Egjipt. Ai dhe al-Kassas u arrestuan në shkurt 2018 pasi shprehën kritika të ashpra ndaj qeverisë së presidentit Abdel Fattah El-Sisi.

Një gjykatë e Kajros dënoi gjithashtu Moaz el-Sharqawi me 10 vjet burg për akuza të ngjashme, duke përfshirë anëtarësimin në grupin e ndaluar të Vëllazërisë Myslimane.

Egjipti e ndaloi Vëllazërinë pasi Sisi, shefi i atëhershëm i ushtrisë, përmbysi presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike të Vëllazërisë, Mohamed Mursi, pas protestave masive në 2013.

Mursi vdiq në një sallë gjyqi, në kushte burgu, ë vitin 2019, ndërsa drejtues të tjerë të grupit u burgosën ose u larguan nga vendi si rezultat i një shtypjeje të gjerë.

 

 

 

 

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re