Një gjykatë egjiptiane dënoi të enjten me vdekje 24 anëtarë të Vëllazërisë Muslimane, të akuzuar për përfshirje në vrasjet e oficerëve të policisë në dy raste të veçanta.

Gazeta shtetërore “Al-Ahram” raportoi se Gjykata Penale Damanhour kishte dënuar me vdekje 16 të pandehur të lidhur me Vëllazërinë Muslimane, duke përfshirë Mohamed Sweidan, udhëheqësi rajonal i organizatës, për përfshirjen në një sulm me bombë ndaj një autobusi policie në vitin 2015 në qytetin Rashid, ku u vranë tre policë dhe 39 të tjerë u plagosën.

Gjashtë të pandehur u gjykuan në mungesë.

E njëjta gjykatë dënoi gjithashtu me vdekje tetë anëtarë të Vëllazërisë Muslimane, përfshirë dy në mungesë, të akuzuar për vrasjen e një oficeri policie në dhjetor 2014 në qytetin Ad Dilinjat në Beheira.

Çështja u pezullua për tre të pandehur për shkak të vdekjes së tyre.

Gazetat nuk sqaruan nëse vendimet ishin përfundimtare apo mund të apeloheshin.

Nuk ka shifra të sakta mbi dënimet me vdekje të dhëna në Egjipt këtë vit, me përjashtim të 10 dënimeve në prill dhe atyre të konfirmuara kundër 12 udhëheqësve të Vëllazërisë Muslimane në 2013.

Vëllazëria Muslimane u themelua në 1928, kurse pas grusht shtetit ushtarak në Egjipt në korrik 2013, grupi u nxor jashtë ligjit dhe shumica e udhëheqësve të tij u arrestuan, përfshirë presidentin e parë të Egjiptit të zgjedhur në mënyrë demokratike, Mohammed Morsi. Morsi ndërroi jetë në vitin 2019, gjatë një seance dëgjimore në sallën e gjyqit, kur, pasi u sëmur, nuk iu dha ndihma në kohë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re