Vëllazëria Muslimane e Egjiptit tha se vendimi i autoriteteve për të konfiskuar pasuritë e 89 udhëheqësve dhe figurave të grupit është një hakmarrje e motivuar politikisht kundër tij.

Në një deklaratë televizive, zëdhënësi i grupit, Talaat Fahmi, tha se vendimi i gjykatës egjiptiane përfaqëson “një shtypje dhe hakmarrje ndaj grupit më të madh që u angazhua në revolucionin egjiptian të janarit të vitit 2011”.

Fahmi gjithashtu tha se në rrethanat aktuale në Egjipt, ku “gjithçka është në duart e regjimit”, do të ishte e vështirë të apelohej kundër vendimit.

“Ata që morën pjesë në revolucion po gjykohen dhe paratë e tyre po konfiskohen, ndërsa ata që u shpallën fajtorë dhe u kapën me fitime të paligjshme po gëzojnë lirinë dhe paratë”, shtoi Fahmi.

Autoritetet egjiptiane nuk kanë komentuar ende mbi vendimin, por ata e konsiderojnë Vëllazërinë Muslimane “një grup terrorist” pasi një gjykatë në vitin 2013 shpalli grupin të jashtëligjshëm.

Dje, mediat lokale egjiptiane njoftuan se Gjykata për Çështje Urgjente në Kajro urdhëroi sekuestrimin e pasurive të 89 udhëheqësve dhe anëtarëve të Vëllazërisë dhe trashëgimtarëve të ish-presidentit Mohamed Morsi dhe transferimi i tyre në thesar.

Vëllazëria Myslimane u formua në vitin 1928 dhe pas grushtit të shtetit ushtarak në Egjipt në korrik të vitit 2013 grupi u shpall i jashtëligjshëm dhe shumica e udhëheqësve të tij u arrestuan, përfshirë presidentin e parë të zgjedhur egjiptian Morsi. Ai vdiq në burg gjatë gjykimit të tij më 17 qershor 2019.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re